Xhafaj takon Hahn: Shqipëria jo më në listën e vendeve ku kultivohet drogë

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë vizitës në Bruksel ka zhvilluar një takim me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Xhafaj në fjalën e tij u ndal te lufta antikanabis duke e vënë theksin tek qëndrueshmëria e rezultateve. Ministri nënvizoi se janë marrë që tani masat për 2018, dhe Shqipëria nuk do të jetë më në listën e vendeve ku kultivohet drogë.

Duke përmendur operacionin “Forca e Ligjit”, ministri pohoi se janë skanuar grupet kriminale dhe asetet e tyre. Ai veçoi ndihmën e ekspertëve të huaj të atashuar në Task Forcën Speciale.

Duke u ndaluar tek masat për frenimin e azilkërkimit të paligjshëm dhe migracionin e parregullt, ministri i Brendshëm shqiptar veçoi bashkëpunimin me Francën, si një shembull pozitiv për minimizimin e fenomenit.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit tha se shembulli i bashkëpunimit të palës shqiptare me Francën, duhet avancuar edhe me vendet e tjera evropiane.

“Periudha në vijim është shumë deçizive për Shqipërinë”, u shpreh Komisioneri Hahn. Ai sugjeroi njohjen më të thellë të arritjeve të palës shqiptare, përmes medias së huaj, për të reduktuar efektet negative të stigmatizimit të padrejtë të vendit.

Ministri Xhafaj nënvizoi se rezultatet e prekshme të arritura në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, janë fryt i vendosmërisë për të forcuar shtetin ligjor. Bashkëpunimi me vendet fqinje për ngritjen e Qendra Rajonale e Bashkëpunimit Policor, sipas tij, ka nevojë për mbështetje nga vendet e BE-së.