Yjet e futbollit që nuk morën dot “Topin e Artë”

Sonte në mbrëmje (19:45) do të zhvillohet ceremonia e “Topit të Artë”, trofe që do t’i dorëzohet Cristiano Ronaldos, nëse nuk do të ndodhë ndonjë surprizë e madhe. Ylli i Realit të Madridit do të çojë në 5 numrin e këtyre trofeve, për t’u barazuar me Lionel Messin, ndërkohë që çon në 7 trofetë e fituar nga lojtarët portugezë në historinë e futbollit.

Por cilat janë përfaqësueset me triumfet më të shumta përsa i përket këtij trofeu individual, që nga viti 1956 e deri tani? Në krye qëndron Holanda, edhe pse kjo përfaqësuese në vitet e fundit ka prekur pikën më të ulët në botën e futbollit. Në total janë 7 triumfe holandeze, me Cruyff që e ka fituar 3 herë, po aq sa edhe Marco Van Basten, ndërkohë që ka mundur ta fitojë një herë “Topin e Artë” edhe Ruud Gullit.

Po kështu, 7 “Topa të Artë” ka edhe Gjermania, me Beckenbauer dhe Rummenigge dy herë, ndërsa Muller, Matthaus dhe Sammer nga një herë. Këtyre dy përfaqësueseve u shtohet Portugalia, që për momentin është me 6 “Topa të Artë”, 4 nga Ronaldo, një nga Eusebio dhe një Figo, ashtu sikurse edhe Franca. Pas tyre vijnë Brazili e Argjentina, me 5 “Topa të Artë”.

Në rastin e Argjentinës nuk ka shpërndarje të trofeut, pasi ato i ka fituar një person i vetëm: Lionel Messi. Ndërsa te Brazili, fenomeni Ronaldo e ka fituar dy herë, me Rivaldon, Ronaldinhon e Kakà nga një herë. Pesë “Topa të Artë” kanë edhe Italia me Anglinë.

Por në listën e gjatë të futbollistëve që kanë fituar “Topin e Artë”, ndoshta duket e habitshme, por mungojnë yje që nuk e besoni dot. “Topi i Artë” ka nisur të jepet në vitin 1956. Mes 2010 dhe vitit 2015 pati një marrëveshje, kur çmimi u shkri me atë të “Lojtarit të Vitit të FIFA-s” dhe u bë në bashkëpunim FIFA me gazetën prestigjoze franceze “France Football”.

Edicionin e parë e ka fituar Sër Stenli Methjus, legjenda e Blackpool, i cili la pas yjet e Real-it, Alfredo di Stefano dhe Rajmond Copa. A e ka fituar ndonjë portier këtë çmim? Po, legjenda ruse e Dinamos së Moskës, Lev Yashin, më 1963. Ai la pas Gianni Riveran e Milanit dhe Jimi Gryvsen e Tottenham. Yashin është edhe rusi i parë që e ka fituar “Topin e Artë”.

Paolo Maldini, Andrea Pirlo, Thiery Henry, Keny Dalglish, Gianluigi Buffon, Frank Rijkaard, Andres Iniesta, Xavi Hernandez dhe Ferenc Puskas janë 9 prej emrave që i kanë shkuar shumë pranë çmimit, por nuk e kanë fituar kurrë atë. Duhet përmendur një fakt, deri në vitin 1995, “Topi i Artë” jepej vetëm për futbollistët europianë, prandaj në listë mungon Pele. Edhe Maradona mungonte, por atij i është dhënë “Topi i Artë” për karrierën dhe rezulton si fitues.

Futbollisti i parë joeuropian që ka fituar “Topin e Artë” është George Weah, ish-sulmuesi i Milanit. Ndërsa amerikano-jugori i parë ishte braziliani Ronaldo. Në 10 vitet e fundit, “Topin e Artë” ose e merr Messi, ose Ronaldo, që me çmimin e fundit e barazon, me nga 5 secili. Braziliani Kaka ishte i fundit që e mori para këtyre.