Zef Brozi nga SHBA: Koha e pandërshkueshmërisë duhet të marrë fund

Ish- kreu i gjykatës së Kasacionit (sot Gjykata e Lartë), Zef Brozi ka reaguar për sa i përket zgjedhjes së Kryeprokurores së përkohshme Arta Marku.
Brozi u bën thirrje të gjithë qytetarëve, pushtetarëve, opozitarëve dhe ndërkombëtarëve, që ta mbështesin kryeprokuroren e re në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të ish- pushtetareve a pushtetarëve të lartë.

Reagimi i plotë i Zef Brozit:
Sot u zgjodh Prokurorja  e Përgjithshme  e përkohshme Znj. Arta Marku. Duke i uruar suksese në detyrën e saj aq të vështirë, u bej apel të gjithë qytetarëve, pushtetarëve, opozitarëve të ndershëm dhe ndërkombëtarëve t’i japin asaj mbështetjen më të madhe në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit te ish -pushtetareve a pushtetarëve të lartë.

Askush nuk duhet lejuar të sabotojë e pengojë reformën në  drejtësi dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Koha e pandëshkueshmërisë së pushtetarëve, ish pushtetarëve, politikanëve dhe kujtdoqoftë duhet të marrë fund. Ky është edhe misioni i guximshëm e tepër jetik për Shqiperinë, që kërkohet sot nga Prokurorja e Përgjithshme Znj. Marku dhe nga Prokuroria, Gjyqësori e gjithë institucionet shtetërore.

Mirënjohje e pafund ndaj qeverisë së SHBA dhe ambasadorit Donald Lu, Bashkimit Europian dhe ambasadores Vlahutin për mbështetjen e madhe që po i japin Reformës në Drejtësi dhe Shqipërisë.

Zef Brozi
Washington, DC