105-vjetori i Policisë/ Xhafaj paralajmëron ‘furtunë’: Ja kë do shkarkojmë nga puna

Ditën e sotme, në kuadër të 105-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit është mbajtur një aktivitet në qytetin e Lezhës.

Gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj theksoi se procesi i vettingut do të pastrojë sistemin e policisë nga ata punonjës që nuk përmbushin kriteret.

“Data 13 janar 1913 përveçse një datë e rëndësishme për krijimin e kësaj organizate, na shërben edhe si motivim për përmbushjen e këtij angazhimi të madh në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë. Në rrugëtimin e saj 105-vjeçar organizata e policisë është përballur me vështirësi dhe sfida të panumërta. Sot kemi rastin të themi me krenari se Policia e Shtetit është ngritur dhe konsoliduar si një institucion ligjzbatues që siguron jetën dhe pronën e qytetarëve.

Kam bindjen së në radhët e Policisë së Shtetit gjenden sot shumë persona që punojnë me ndershmëri në funksion të shërbimit ndaj qytetarit, dhe figura e tyre nuk mund të njolloset nga ta që janë pjesë e padenjë në radhët e policisë.
Procesi i vettingut që pritet të nisë së shpejti do të largojë nga sistemi elementët që nuk duhet të jenë pjesë e tij”, tha ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.