“Fjalimi i Albin Kurtit për Vetëvendosjen”

 

Fjalim i mirë i Albin Kurtit, i cili e konfirmoi rolin e vet prijatar në VV. Përmendja dhe falenderimi i kritikëve dëftoi fisnikëri, nisja me hymn e bashkim me Shqipërinë dëshmoi parime. Sidomos ngazellyes fakti që barazia gjinore dhe respekti për gruan aktiviste u vu në theks në krye të fjalimit; propozimi për një sekretariat të barazisë gjinore me ingerenca disiplinuese qe shumë trimërues.
Jam pak në hamendje rreth idesë së tij për këshilla profesionale, që më tingellon si ide korporativiste, si dhe për pune sociale nëpër qendra të VV-së; detyrë e politikës është të sigurojë resurset për profesonistët, e jo t’i marrë përsipër ato. Vija ndarëse mes politikës dhe sindikatave duhet të ruhet, në mënyrë që të mos kërcënohet integriteti i këtyre të dytave. Supozoj se e ardhmja do të tregojë se ç’ka menduar Kurti në të vërtetë.
Ajo që më pëlqeu më së shumti në fjalim qe theksi te aktivisti i thjeshtë. Albini sonte në parim i tha ndal “aktivistit të pakulturuar”, duke kërkuar respekt për debatet, dhe kjo është mirë; me mirë vonë se kurrë. Ai kërkoi aktivistë që nsv të merren me grindje, merren me zhvillimin e vet, e me elektoratin e pavendosur, që është strategjikisht e drejtë. Po ashtu, ishte fantastik ky theksi te barazia sociale, që as paga e kryetarit (e vetja) të mos jetë më e lartë se 2/3 e asaj më të ultës në VV. Lëvizja prin me shembull vetjak, edhe në këtë aspekt, dhe Albin Kurti e kupton mirë rolin e vet si shembull brenda lëvizjes.
Kam përshtypjen që fjalimi mjeshtëror i Albin Kurtit sonte i fitoi VV-së kohë. Se sa kohë, kjo varet tash nga disiplina e aktivistëve. Është lehtë të brohorasësh emrin e Albinit, i ka veç pesë tinguj. Por është goxha vështirë ta ndjekësh atë, e vullnetin e tij.

Marrë nga profili në Facebook i Shqiptar Osekut