Antalyaspor ofron 300 mijë euro për lojtarin e Kukësit, Gjici…

Kukësi ka fituar dy ndeshje miqësore me ekipe të Superligës turke dhe ka barazuar dje me gjigantët e Fenerbahce-s, ku fitorja u është “vjedhur” nga turqit në minutën e fundit me një penallti inekzistente. Është ndjerë dora e trajnerit Pacult, ku përveç fazës përgatitore cilësore, duket se austriaku i ka vendosur në vendet e duhura. Por ajo që përbën lajm sot është se disa futbollistë të ekipit kampion shqiptar janë shënjestruar nga skuadra të turke e jo vetëm.

Sipas “Sport Ekspres”, mbrojtësi Simon Rrumbullaku është piketuar nga Antalyaspor, klubi i qytetit ku Kukësi dhe klubet e tjera shqiptare po përgatiten. Drejtuesit e këtij klubi kanë ndjekur me vëmendje gjithë ndeshjet e Kukësit dhe sidomos atë kundër Fenerbahce-s, të ngacmuar nga fitoret e Kukësit para atij takimi.

Pikërisht Rrumbullaku ka tërhequr vëmendjen e klubit ku aktivizohen edhe Samuel Eto’o e Samir Nasri. Paraqitjet e Rrumbullakut, i cili ka qenë titullar fiks te Kukësi që prej ardhjes në Shqipëri janarin e vitit 2017, kanë tunduar jo pak drejtuesit e Antalyaspor, që shohin një mundësi të shkëlqyer biznesi dhe kanë kontaktuar menaxherët e Kukësit.

Sot në mbrëmje është parashikuar një takim mes drejtuesve të Antalyaspor dhe presidentit Safet Gjici. Në tryezë janë 300 mijë euro për Kukësin! Nëse realizohet, do të ishte goditja e madhe që do ta përfshinte Kukësin në grupin e klubeve që shesin futbollistë dhe ku natyrisht Skënderbeu është lokomotiva. Kësaj oferte vështirë që presidenti Gjici t’i rezistojë.