Atentati me tritol në Shkodër, rihapen dosjet e vjetra të Kullës

Një atentat me tritol ka tronditur një ditë më parë qytetin verior të Shkodrës, ku shënjestër ishte një emër shumë i njohur për policinë.

Report Tv mësoi se nuk ka ende asnjë person të arrestuar për ngjarjen e rëndë. Policia ka shoqëruar 20 persona, shumica e të cilëve janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje. Ndërkohë,burime i thanë Report Tv se janë rihapur dosjet e vjetra të Lul Kullës, mes të cilave edhe vrasja e një biznesmeni gazi. Sa i takon gjendjes së Lulzim Kullës, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Lulzim Kullaj njihet si ‘i forti’ i Shkodrës dhe është emër i njohur për uniformat blu, për shkak të së kaluarës së tij kriminale. Lënda eksplozive u vendos në një motor të parkuar në hyrje të një objekti 2-katësh në pronësi të Kullës dhe është shpërthyer me telekomandë, teksa objektivi po largohej me automjet.

Kullaj ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa kanë marrë lëndime dhe 7 persona të tjerë, që kanë qenë kalimtarë të rastësishëm në vendin e shpërthimit, ku një prej tyre, i identifikuar si Ditmir Myftia, 32 vjeç, në gjendje të rëndë, ndërsa gjashtë të tjerët jashtë rrezikut për jetën. Ky i fundit së bashku me objektin e atentatit kanë marrë plagë të rënda dhe për pasojë janë nisur drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Objekti ku u vendos tritoli është godinë 2 katëshe multifunksionale si klinikë dentare, lokal, shoqata serbo-malazeze, parukeri, shitje tapetash. Burime për Report Tv saktësuan se shpërthimi ka ndodhur në momentin kur Kulla po hipte në automjetin e tij.

Dyshohet se lëvizjet e Kullës janë monitoruar nga atentatorët dhe në momentin kur ai po merrte automjetin kanë bërë shpërthimin e telekomanduar. Lulzim Kulla ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar në drejtim të Tiranës për ndërhyrje më të specializuar. Report Tv iu sjell momentet e shpërthimit, që siç duket ka krijuar panik te qytetarët dhe ka qenë i mirëorganizuar si një skenë filmi.

Vrasje, kanabis e gjobëvënie, e shkuara kriminale e Kullës
Lul Kulla është emër i njohur për policinë për shkak të të kaluarës së tij kriminale. Ai njihet si “i forti” i Shkodrës i cili nënshtroi tregtarët e këtij qyteti, duke iu marrë edhe bizneset, ndërsa dyshohet se ka marrë pjesë edhe në torturimin për vdekje të një personi në këtë qytetit, por për ngjarjen nuk është dënuar askush.

Në qershor të vitit të kaluar, Lul Kulla është arrestuar nga policia për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit, në Shkodër. Ai është mbajtur në burg dhe është liruar pas gjashtë muajsh.

Ndërkohë, Report Tv mëson gjithashtu se Lul Kulla pas vitit 1997 u kthye në makthin e tregtarëve dhe biznesmenëve në lagjen “Rus” të qytetit verior. Lul Kulla, në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale, do vinte nën diktat bizneset e Shkodrës, duke bërë që një pjesë e tyre të largoheshin nga qyteti. Për shumë vite ai mbajti nën kontroll lagjen e famshme të Shkodrës, duke kontrolluar aktivitetin tregtar. Në objektin ku iu vendos tritoli, Lul Kulla ka në pronësi një lokal si dhe disa ambiente të dhëna me qira. Në katin e dytë të ndërtesës ndodhen zyrat e shoqatës së minoritetit serbo-malazez të Shkodrës.

Ngjarja ka ndodhur në një nga lagjet më të populluara të kryeqendrës së veriut, pranë qendrës së qytetit. Nga shpërthimi i fuqishëm janë dëmtuar edhe disa automjete të parkuara pranë biznesit. Një prej automjeteve të dëmtuara nga shpërthimi është një fuoristrade me targë AA 444 CX, e cila dyshohet se i përket pikërisht Lulzim Kullës.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Blutë kanë sekuestruar pamjet filmike të bizneseve aty pranë, pasi kanë qenë të pajisura me kamera sigurie dhe dyshohet të kenë filmuar momentin e vendosjes së lëndës eksplozive në dyqan.

Emrat e të plagosurve:

Lulzim Kullaj – 42 vjeç

Arjola Gjonaj – 31 vjeçe

Pjetër Arra 53 – vjeç

Gentian Suça – 40 vjeç

Ditmir Myftia – 32 vjeç

Pjeter Daka – 60 vjeç

Gardosileviç Roikq – 50 vjeçe

/shqiptarja.com