Basha: Shqiptarët paguajnë 200 milionë për 5 derrat e Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ditën e sotme nga Vora deklaroi se një qeveri e zgjedhur nga krimi nuk ka prioritet të zgjidhë problemet e qytetarëve.

“200 milionë është borxhi total i shqiptarëve ndaj KESH-it. 200 milionë është fatura që shqiptarët paguajnë vit për vit për 5 koncensionarë, për 5 derra të krimit dhe korrupsionit që ndajnë paratë me Edi Ramën. Nuk ka asnjë arsye pse një qeveri që e ka lidhur fatin me njerëzit të mos ndërpresë menjëherë këtë marrëdhënie kriminale korruptive, të shlyejë borxhin ndaj KESH-it dhe të çlirojë qindra e mijëra familje shqiptare nga zgjedha e kamatave të padrejta të KESH-it apo nga mënyra e rritjes së çmimit të ujit.

Ky është plani. Ky është vendimi. Kjo është vendosmëria e demokratëve. T’u japë shqiptarëve një qeveri, e cila paratë nuk i çon tek oligarkët, por i çon tek qytetarët. Çmimi energjisë, çmimi i naftës, çmimi i ujit, çmimi i ushqimeve bazë janë shqetësime themelore të njerëzve. Papunësia, varfëria, mungesa e shpresës janë pasojat e drejtpërdrejta të këtyre mënyrave që janë dhurata dhe prodhimi i vetëm i Edi Ramës për popullin”, theksoi Basha.

Ndër të tjera Kreu i PD-së, theksoi se 27 Janari nuk është vetëm një protestë politike e thirrur nga disa parti, por ajo do të jetë një goditje që shumica absolute e shqiptarëve do t’i japë pakicës që qeveris me krimin.

“Qytetarët në këmbë me pjesëmarrje masive popullore do të jenë mesazhi më i qartë, që do të flasë më qartë se çdo fjalim politik. Se sundimi i krimit, se sundimi i Edi Ramës dhe bandës së tij në Shqipëri kanë marrë fund dhe janë të papranueshëm”, tha Basha.