Duma: Ka vend për përmirësim në PD, Basha ka lënë të aftët në stol

Deputetja demmokrate, Grida Duma u shpreh se një nga gjërat që duhet bërë brenda partisë është menaxhimi në mënyrën e duhur i njerëzve të aftë.

Duma, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, ka treguar idetë e saj për përmirësimin e PD-së.

Deputetja e djathtë foli edhe për marrëdhënien me LSI-në, duke theksuar se për largimin e të keqes së madhe, qeverisë Rama, duhet të bashkohen të gjithë.

Kritika ndaj Bashës?

Duma: Ka dy qasje, të ankohesh e të thuash sa keq i ka bërë gjërat dikush por ka dhe një qasje për të thënë se gjërat mund të bëhen më mirë. Unë nuk merrem me intervalin çfarë është bërë keq. Por duhet të dimë çfarë duhet bërë. Nuk ka më opinione individuale, është koha për një sistem me rregulla loje.

A ka nevojë PD për një lider tjetër?

Duma:Nuk mund të them këtë, por di të them që duhet të menaxhojmë më së miri njerëzit e aftë, dhe duhet t’u gjesh njerëzve të duhur vendin e duhur. Kemi kapacitete të jashtëzakonshme. Nuk jemi aspak opozitë e dobët. Kemi mendimtarë që duket sikur qëndrojnë në stolat e tyre të mendimit, por që janë qasur e kanë mbështetur PD-në në momentet më kritike. Ne duhet të prodhojmë trashëgimi, jo të krijojmë një staf të përkohshëm.

Sa e vlerësuar ndiheni nga z.Basha?

Duma:Nuk është këtu ideja. Mendoj që në politikë nëse je i drejtë dhe juajal, dhe nga ana tjetër je i nevojshëm, atëherë kjo i duhet një organizate politike. Nëse më konsiderojnë të vlefshëm, sot jepen meritat. Për sa i përket PD-së në tërësi patjetër ndihem e vlerësuar.

Marrëdhënia me LSI-në

Duma:Së pari sot duhet një opozitë që duhet thirrur çdo individ e jo më forcë politike se është në rrezik demokracia në Shqipëria. Kjo nuk është platformë qeverisëse, s’duhet menduar kështu. Duhet të bëhemi bashkë për të përballuar këtë të keqe të madhe. Pas kësaj, çështja e koalicioneve për sa i përket logjikës time, për cilëndo forcë duhet t’i quajmë aksionerë në vendimmarrje.

Më 27 janar është parashikuar të mbahet protesta e opozitës. Si do të vijohet më tej?
Protesta të 27 janar do të jetë vetëm fillimi, pasi reagimi qytetar do të vazhdojë. Qëndrueshmëria në këtë përballje do të jetë e tillë që nuk ka kthim pas. Do të ketë një qasje të tillë, ku opozitarizmi padyshim duhet të jetë shumë i fortë. Jemi në një moment ku shqiptarët duket sikur po kërrusen nga një përditshmërie që duket se vështirë do të ndryshojë. Ditë pas dite, shqiptarët po shkojnë në një skamje të papranueshme. Shqiptarët sot numërojnë 200 mijë njerëz të ikur nga Shqipëria. Krahu i punës, profesionistët më të mirë, po ikin. E ardhmja nuk ka asnjë shpresë se do të ndryshojë. Ky shtet të cilit i paguajmë taksa duhet ët na shërbejë, jo të na imponohet.

Pse duhet t’i bashkohen qytetarët shqiptarë protestës së opozitës?
Unë i bëj thirrje në radhë të parë si qytetarë, pasi kjo nuk është çështja për të marrë pushtetin, por për mirëqenien e tyre. Këtu nuk po flitet se kush do të marrë pushtetin, siç po përpiqet të tregohet nga të tjerë kjo opozitë. Në të vërtetë kjo opozita ka një qëllim të mirë, ku kauza është qytetari. Gabim i madh është të lëmë të mendohet se kauza e opozitës është pushteti. Unë i referohem ankesave të përditshme të qytetarëve, të studentëve, të pensionistëve, të të papunëve, të pacientëve në spitale, etj. Ne vijmë sot në një situatë në të cilën studimet e dala nga të dhënat e kësaj qeverie, se fëmijët në periferi të Tiranës ushqehen me një vakt në ditë.

Nuk ka ndodhur që të keni një mbështetje masive nga qytetarët në protestat e kaluara?
Qytetarët shqiptarë kanë një jetesë të vështirë, dhe një përditshmëri të stresuar. Nuk është e vërtetë që opozita nuk ka patur një mbështetje të jashtëzakonshme nga qytetarët në protesta. Ishte një rekord i madh që qytetarët qëndruar 90 ditë në çadrën e protestës. Sot unë cilindo sektor të jetës të marr, paraqitet vështirësi. Në prill do të hyjë sistemi i ri i TVSH, dhe shumë biznese në vend do të goditen. Në këtë skenar të keq që kemi sot punë po na e mban biznesi i vogël, dhe në moment që do të hyjë sistemi i ri i taksimit, do të kemi probleme me papunësinë. Ne çojmë në burg njerëz që nuk kanë paguar faturat e dritave, kur kostoja në burg është 40 apo 50 euro, në vend që të ndërhyhet për përmirësimin e situatës.

Por brenda opozitës, brenda PD si është situata?
PD është në një proces që është diskutuar. Vijon analiza në të gjitha degët e OPD. Është e nevojshme që shumë nga elementët e rregullave të lojës të përmirësohen, dhe një tjetër strategji më shumë efeciente të vihet në zbatim për të ngritur PD në eficencën më të lartë të saj. Për të sjellë një PD ashtu siç e duan qytetarët. Çdo individ kur çohet në mëngjes kërkon shpresë, dhe opozita, dhe PD duhet ta mbajë këtë përgjegjësi. Opozita duhet ta kuptojë se në mandatin e dytë qeverisës së Ramës udhët të ngjalle shpresën që të jetë një force e tillë jo që të mundë PS në fushatë elektorale, por të krijojë besimin e qytetarëve. Ka shumë vend për përmirësim në PD. Unë kam një qëndrim konstruktiv, pra që të bëhet më mirë, dhe mund të bëhet më mirë. cfdo ditë bindem se forca e PD është shumë e madhe, dhe është me vend të thuhet se ajo duhet të shfrytëzohet e gjitha, dhe PD duhet të hyjë në një sistem të ri rregullash loje.

Ka vend për përmirësim nga lidershipi Basha?
Padyshim që duhet ët ketë përmirësimi. Duhet çuar vëmendja aty ku fillon aseti i PD, tek qytetari tek simpatizanti, tek kontributori. Në këto kushte, sot një kontratë me rregulla loje të qarta për anëtarin e OPD është e nevojshme. Pra kush kontribuon duhet ët shpërblehet, kush ka bërë puën duhet t’i njihet puna, kush është i aftë duhet të vlerësohet. Është me rëndësi qartësia e rregullave të lojës, pra si do të vlerësohen këta anëtarë.