Kuvendi i Kosovës dërgon në Qeveri projektligjin për shfuqizimin e Speciales

Kryesia e Kuvendit ka dërguar Projektligjin për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale në Qeveri, duke e avancuar kështu iniciativën që ndërkombëtarët e konsiderojnë si më të rrezikshmen për Kosovën

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se kryesia e Kuvendit ka vendosur që nismën për shfuqizimin e Speciales ta procedojë për shqyrtim në Qeveri.

“Nga Kuvendi, kryesia mori vendim që Projektligji për Shfuqizimin t’i shkojë Qeverisë. Topi tash është në duart e Qeverisë”, ka thënë Konjufca.

Kryesia e Kuvendit sot kishte kuorum, pas disa tentativave për të shqyrtuar kërkesën e 43 deputetëve, që nuk arrihej për shkak të mungesës së kuorumit.

“Është pamundësuar në mbledhjen e kaluar të Kryesisë për shkak se nuk kishte kuorum, këtë herë kishte kuorum prej katër anëtarëve dhe u mor vendim që nisma e deputetëve për shfuqizim të shkojë në shqyrtim në Qeverinë e Kosovës. Pra ka një avancim të kësaj nisme”, ka thënë më tej Konjufca.

Ndërsa anëtarët e Lidhjes Demokratike kanë lëshuar mbledhjen me të ardhur te pika ku do të diksutohej për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Shefi i Grupit Parlametar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se e lëshuan mbledhjen e kryesisë, pasi filloi diskutimi pë zhbërjen e Speciales, që LDK e konsideron të dëshme për vendin.

“Në pikën e tretë u diskutua për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ne e lëshuam mbledhjen sepse kjo çështje është e dëmshme dhe rrezikon marrëdhëniet me ndërkombëtarët”, tha ai.

E ky veprim e LDK’së, sipas Kryeparlamentarit Kadri Veseli, ishte i panevojshëm. Ai tha se qendrimet politike të gjithësecilit për këtë çështje dihen. Duke e dërguar projektligjin e Gjykatës Speciale në Qeveri, Veseli tha se vetëm përmbushën obligimet procedurale./ Gazeta Express