Materiale pornografike në messenger, mbi 1 mijë adoleshentë të proceduar

Kohëve të fundit, rrjeti social Facebook po përdor një kod që njofton menjëherë policinë amerikane, për rastet e shpërndarjes në bisedat e messengerit, të materialeve pornografike.

Nëse rastet përbëjnë shkelje, policia amerikane informon menjëherë Interpolin. Por jo vetëm policia amerikane, por edhe ajo daneze është vënë në lëvizje. Raportohet se policia daneze ka ngritur akuza ndaj rreth 1 mijë të rinjve, për shpërndarje të materialeve pornografike me adoleshentë.

Procedimet kanë nisur ndaj atyre të rinjve, që kanë shpërndarë përmes messengerit video pornografike, ku protagonistë janë personat nën 18 vjeç.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se mes të rinjve të proceduar, vetëm 800 janë meshkuj, pjesa tjetër femra. Mosha e tyre është nga 15 deri 20 vjeç. Kujtojmë këtu faktin se pas hapjes së disa proceseve gjyqësore nga persona që kanë rënë pre e këtyre filmimeve, rrjeti më i madh social në botë, u detyrua të ndryshojë politikat e shpërndarjes së fotove dhe videove.