Mina 650 kg e Luftës së Dytë Botërore në Vlorë/ FA realizon evakuimin

Peshkatarët në Vlorë kanë nxjerrë dje nga deti një minë, e cila i përket Luftës së Dytë Botërore.

Mina ra brenda në rrjetat e një peshkarexhe, e cila u ankorua në zonën e Triportit, në qytetin e Vlorës pas zbulimit të minës që peshon 650 kg.

Në sajë të ndërhyrjes efikase të forcave Xheniere të FA u mundësua evakuimi i minës 650 kilogramëshe.

Njoftimi i policisë

Më datë 11.01.2018, Salla Operative e Kufirit Vlorë është njoftuar prej shtetasit A.M., se rreth 10 milje në veri të Sazanit, ku kishte peshkuar, ka konstatuar në rrjetën e peshkimit edhe një minë luftarake.

Shtetasi është paraqitur pranë Stacionit të Policisë Triport, ku edhe ka qëndruar anijen e peshkimit, në brendësi të së cilës ndodhet municioni luftarak i cili aktualisht është nën ruajtjen e shërbimeve policore. Nga verifikimi paraprak mina ka një peshë rreth 500-600 kg. Janë njoftuar menjëherë edhe ekspertët e forcave xheniere, në mënyrë që të bëjnë vlerësimin e situatës dhe asgjësimin e minës nëse do të jetë e nevojshme.