Ministrja Gjonaj takim me drejtuesit në Lezhë: Do ketë largime nga puna nëse…

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Ministrave në qarkun Lezhë, zhvilloi një takim me drejtuesit vendorë.

Në takimet që pati me drejtuesit dhe punonjësit e zyrave të Hipotekës, ALUIZNI-t, Përmbarimit, Shërbimit të Provës në Lezhë dhe Rrëshen, Ministrja Gjonaj u njoh nga afër me ecurinë e punëve si dhe me problematikat që ndeshen në përditshmëri.

Ministrja e Drejtësisë u shpreh e vendosur për të mos toleruar asnjë shkelje ligjore, abuzime me detyrën apo marrje rryshfeti, duke paralajmëruar largime nga puna, procedime për ndjekje administrative apo penale për çdo punonjës apo drejtues.

Në kuadër të reformave për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve Ministrja Gjonaj tha se performanca mbetet një kriter i padiskutueshëm, si për drejtuesit e rinj të cilët do të jenë në një periudhë prove për 3 muaj, ashtu edhe për çdo punonjës, pozicioni i të cilëve duhet të jetë në përputhje me arsimin përkatës.

Gjitashtu, Ministrja Gjonaj porositi drejtuesit e institucioneve që të trajtojnë me përparësi kërkesat që vijnë nga organet e vetting-ut. Ministrja tha se nuk do të tolerojë asnjë vonesë në trajtimin e këtyre rasteve, duke paralajmëruar se do të merren masa ndëshkimore mbi punonjësit që bëhen pengesë e këtij procesi.