A duhet të ketë frikë Duka nga përballja me Finon?

Krerët e futbollit shqiptar, më saktë ata të Federatës, kanë “mbajtur frymën” kur Bashkim Fino, të enjten në mbrëmje, në një emision sportiv të RTSH-së, ka shpallur kandidaturën për president FSHF-së, me zgjedhjet që do të mbahen më 7 shkurt.

Afrimi i Asamblesë Zgjedhore ishte një taktikë e Dukës për t’u mos u dhënë shumë kohë kandidatëve, por Fino është një politikan i vjetër tashmë dhe taktika të tilla nuk i bëjnë përshtypje. Pavarësisht se të dy kanë deklaruar se janë miq, në një garë miqësia “nuk pi më ujë”.

A duhet të ketë frikë Duka nga kandidatura e Finos për president të FSHF-së? Natyrisht që po. Së pari, kemi të bëjmë me një profil që e njeh sportin dhe menaxhimin në tërësi, një figurë që ka drejtuar Shqipërinë si Kryeministër, një kryebashkiak po i suksesshëm dhe një deputet i zgjedhur rishtas në Parlamentin e Shqipërisë, duke fituar beteja politike. Pra, i sprovuar në gara dhe në poste drejtuese nga më të lartat.

Së dyti, pavarësisht se gara do të tentohet të mos quhet politike, në Shqipëri thuajse çdo gjë varet nga politika, përderisa edhe klubet e futbollit ende nuk janë private dhe që varen nga bashkitë, shto edhe faktin tjetër që një pjesë e mirë e drejtuesve janë të emëruar, shpesh edhe nga politika. Dhe gjithë këta njerëz natyrisht që do të kenë presion. Por nuk është vetëm kjo…

Së treti, edhe sponsorët kryesorë, të ashtquajtur presidentë, ata që kanë të drejtë vote, që për momentin janë pro dhe kanë votuar për Armand Dukën, mund të ndryshojnë votë, në bazë të një “kërcënimi” me anë të evazionit fiskal që ata kryejnë në klubet e futbollit. Shumë pak klube, me gishtat e njërës dorë, paguajnë nëpërmjet bankës rrogat e futbollistëve, duke iu shmangur detyrimeve shtetit. Por edhe nëse paguajnë taksat, në bankë deklarohen një rrogë qesharake sa për sy e faqe.

Duka mund të tërhiqet edhe nga disa gabime që ka bërë në zgjedhjet e fundit, që media të ndryshme (jo rastësisht) këto ditë kanë zbardhur për publikun, siç është krijimi i shoqatave të ndryshme (me të drejtë vote, madje kanë votuar), por që realisht nuk kanë funksionuar dhe janë të paregjistruara në gjykatë. Një sinjal i një tërheqje të mundshme është deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm, Ilir Shulku, i cili ka pohuar se nuk do të jetë më në këtë pozicion.

Çdo kandidat tjetër i mundshëm nuk do të frikësonte Dukën, përkundrazi do ta lehtësonte atë, madje ndoshta mund ta “fabrikonte” vetë një tillë, thjesht për opinionin publik që ka garë. Herën e fundit që u zgjodh Duka nuk kishte asnjë kandidat përballë dhe mori 100% të votave. E frikshme kur fitohet me numrin absolut të votave!