“New York Times”: Sytë e botës mbi Kosovën, ndërsa pritet të arrestohen figura kyçe politike

E përditshmja amerikane “New York Times” shkruan se përpjekjet e politikanëve kosovarë për të pezulluar gjykatën e krimeve të luftës, e cila është themeluar për të ndjekur krimet e kryera nga shqiptarët gjatë luftës së tyre për pavarësi po i kërcënojnë marrëdhëniet me aleatët e tyre perëndimorë që e përkrahën shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Këtë paralajmërim e kanë bërë zyrtarë europianë e amerikanë.

“The New York Times” i referohet mediave kosovare sipas të cilave aktakuzat e Gjykatës Speciale do të publikohen së shpejti dhe disa figura kyçe politike mund të arrestohen. Të hënën deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kthehen nga pushimet dimërore dhe parlamenti mund të mblidhet sërish për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, ndërsa SHBA, Bashkimi Europian dhe aleatët e tjerë perëndimorë do të vëzhgojnë.

Siç nënvizon “The New York Times” një grup deputetësh, kryesisht veteranë të UÇK-së, tentuan në dhjetor të dërgonin në kuvend për votim suspendimin e ligjit të Kosovës që rregullon funksionimin e gjykatës. Megjithatë, votimi nuk u zhvillua, por mbështetësit e tij thanë se gëzojnë përkrahjen e presidentit Hashim Thaçi, i cili më parë është akuzuar për drejtim të një rrjeti të organizuar kriminal.

Nga fuqitë botërore gjykata shihet si parakusht thelbësor për pajtim në nivel rajonal pas luftërave të përgjakshme të Ballkanit në vitet ‘90. Por, përpjekjet për të pezulluar gjykatën para se të nisin proceset gjyqësore, kanë zemëruar përkrahësit perëndimorë. Ata ua kanë tërhequr vërejtjen udhëheqësve të vendit që të mos sabotojnë sundimin e ligjit. Kritikat më të ashpra kanë ardhur nga aleatët, të cilët rreth 19 vjet më parë ndërmorën një fushatë të sulmeve ajrore nga NATO-ja për ta shpëtuar Kosovën nga shtypja e dhunshme e udhëhequr nga Sllobodan Milloshevici, ish-lideri i Serbisë.

SHBA-të njoftuan më 4 janar, në një deklaratë të nënshkruar nga Gjermania, Britania, Italia e Franca, se çdo përpjekje për të ndaluar punën e gjykatës do të rrezikonte «gjithçka që Kosova ka arritur». «Është përplasja më serioze dhe më dramatike mes institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës dhe Perëndimit», ka thënë Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës «Koha Ditore». Përpjekjet e vazhdueshme kundër gjykatës janë një sinjal «i panikut në mesin e udhëheqësve të Kosovës», thotë ai. Kundërshtimi i pazakonshëm i udhëheqësve të Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara – «mbrojtësit dhe kujdestarit të pavarësisë sonë», thotë Bajrami – ndoshta është shenjë se «disa prej tyre presin të akuzohen».

Disa ish-komandantë të UÇK-së, përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, thuhet se po drejtojnë përpjekjet për shfuqizimin e ligjit për gjykatën. Disa qytetarë në Kosovë janë shprehur të brengosur se liderët e tyre po punojnë më shumë për interesa personale se sa për interesa nacionale. Shumë thonë se ish-luftëtarët, që kanë dominuar qeverinë nga zgjedhjet e fundit, kanë dështuar të drejtojnë vendin. Ata ankohen shumë për mungesë të mbrojtjes ligjore dhe të drejtave civile, bashkë me korrupsionin endemik dhe institucional.

Por, edhe në mesin e kritikëve më të zëshëm të shumicës shqiptare, është vështirë të gjesh ndonjë që do të kundërshtonte rolin e ish-luftëtarëve të UÇK-së në çlirimin e vendit. Nxjerrja e tyre para gjyqit do të ishte si anulim i pavarësisë së Kosovës, thonë shumë prej tyre. «Refuzojmë plotësisht gjykimin e pjesëtarëve të UÇK-së për krime në baza etnike», thotë Albin Kurti, deputet dhe ish-lider i partisë më të madhe opozitare, Vetëvendosje. «Është e dëmshme për vendin tonë brenda, por edhe për kombin tonë jashtë». «E kemi kundërshtuar atëherë gjykatën dhe do ta kundërshtojmë edhe tani», ka thënë Kurti për «The New York Times». Ai shtoi se lëvizja e tij, që ka 32 ulëse në parlament, nuk do t’i pushojë përpjekjet e saj për t’i sjell para drejtësisë liderët aktualë të vendit për ato që, siç thotë ai, «krime të kryera gjatë paqes».

Sipas gazetës amerikane, një ekip hetimor i BE-së i drejtuar nga diplomati amerikan, Clint Williamson ka arritur në përfundimin se i dyshuar për shkelje të ligjit ndërkombëtar është edhe presidenti i Kosovës, Thaçi, si drejtues i një rrjeti kriminal, i quajtur «Grupi i Drenicës». Thaçi i ka mohuar akuzat. Në një vendim në muajin dhjetor, ai fali tre ish-pjesëtarë të UÇK-së të dënuar për vrasjen e një familjeje shqiptare më 2001 sepse kryefamiljari dyshohej të ketë punuar me policinë serbe.

“The New York Times” thekson se nuk është e qartë nëse Kuvendi i Kosovës do të votojë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve për të miratuar pezullimin e ligjit, sepse nevojiten amendamente kushtetuese. Franca dhe Gjermania dërguan emisarë në Prishtinë dhe kjo dukej si përpjekje për të ushtruar presion ndaj liderëve që të heqin dorë nga përpjekjet për të ndryshuar Kushtetutën.