Një protestë paqësore e trashëgimtarëve korçarë mund të ndikonte pozitivisht në negociatat Bushati-Kotzias

Cila është simbolika e qytetit të Korçës për takimin midis dy ministrave të Jashtëm, Bushati dhe Kotzias?l Në raundin e parë të bisedimeve, të cilat kishin karakter eksplorues, të cilat kishin karakter njohës të pikëpamjeve të palëve për një grup temash, me natyrë historike, me natyrë që lidheshin me aktualitetin dhe temat që lidheshin me përcaktimin e kufijve detarë, më saktë të shelfit kontinental midis dy vendeve apo për ruajtjen e mirëmbajtjen e shenjave kufitare tokësore, u zgjodh ishulli i Kretës në Greqi. Ky ishull është mbajtur historikisht si një nga qendrat me nacionalizëm të fortë grek (ndonëse Kristo Frashëri e konsideronte si të besueshme njërën prej tezave greke se greqishtja e Himarës vinte pikërisht prej arvanitasve të Kretës). Në këtë kuptim, ndonëse takimi i parë u zhvillua në një atmosferë larg ndjeshmërive publike të opinionit grek, atij kretan po ashtu- për shkak të largësisë së vemendjes së medias-, simbolika historike e Kretës ka peshuar në përzgjedhjen e palës greke. Përkundër Kretës, në përzgjedhjen e Korçës ka ndikuar gjithashtu një lloj simbolike në marrëdhëniet mes dy vendeve, e cila do të përflitet nga opinioni publik shqiptar, nga opinioni publik grek, apo edhe nga qytetarët e Korçës pa vënë në dikutim se e kujt ishte ideja. E kujtdo të ishte ideja: e palës greke apo e palës shqiptare.

Korça mes shqiptarëve dhe grekëve në historinë e afërt

Korça, e cila mikpret takimin e dytë të ministrave, është një Korçë kozmopolite, një Korçë e hapur për kulturën në përgjithësi, për kulturën greke në veçanti, me të cilën ka dhënë e ka marrë aq shumë sa nuk kuptohet ndonjëherë çfarë është greke dhe çfarë është shqiptare. Por rrënjët njerëzore mbeten të shtrira në të dy anët e kufirit. Për t’u përmendur, gjatë një vizite të ish-presidentit të Shqipërisë në Selanik, në vitin 2000, ku unë isha i pranishëm, në një drekë të shtruar nga guvernatori i zonës së Selanikut, në tavolinë alternoheshin përfaqësues të palës shqiptare me ata të palës greke, ku shumica e atyre që ishin të ftuar, përfaqësues të palës greke, ishin me origjinë nga Korça. Madje, siç me tha presidenti shqiptar i kohës, Rexhep Meidani, e njëjta gjë i kishte ndodhur në një pritje që kishte ofruar kryetari i parlamentit grek, Kaklamanos. Ndihmësja e tij, disa deputetë në tryezën kryesore (ai vetë ishte pasaardhës i një figure të historisë greke, një diplomati në Lidhjen e Kombeve, që kishte debatuar me Fan Nolin në vitet ’20) ishin shqiptarë. Shakasë së Meidanit se vetëm ai kishte mbetur grek në tavolinë, ai u detyrua t’i përgjigjej se e kishte bashkëshorten shqiptare.

Korça është kësisoj qyteti me individë nga familjet e pasura, të cilët kanë ndikuar, kanë marrë edhe kanë dhënë me qytetin e Selanikut (por jo vetëm), në historinë e të cilit janë bashkuar kontribute të disa komuniteteve të rëndësishme, komuniteteve greke, shqiptare, hebraike, sllavofolëse apo bullgarofolëse, për të cilat flasin edhe autorë anglezë të rëndësishëm që e kanë studiuar këtë qytet si Wodhouse. Qyteti i sotëm i Korçës është krenar për këtë ndikim në Selanikun e afërt, ndikim që me siguri është ringjallur dhe sot cilësisht, jo thjesht në formën e kontributit të punëtorëve dhe bujqve të thjeshtë. Korça e 2018 është një qytet kozmopolit, i cili nuk vuan më atë pamjen e trishtë të fillimviteve të tranzicionit shqiptar, që kishte një varësi të tipit gati kolonial, nga Greqia e pasur e viteve ’90, në shekullin që shkoi. Konsulli grek (konsujt grekë të saj nuk i ngjajnë Seferisit, që mori çmimin Nobel në 1963) ishte një figurë e rëndësishme, qoftë në zonat rurale, qoftë në zonat urbane të qytetit dhe pellgut ku zu fill Rilindja jonë kombëtare: ai kishte në dorë vizën Shengen, e cila mundësonte lëvizjen e lirë të qytetarëve apo fshatarëve të zonës, ringjalljen e traditës së marrëdhënieve mes dy vendeve, mbijetesën e familjeve korçare pa shpresë në ekonominë vendase. Në këtë kuptim, ishte një figurë e rëndësishme. Në kujtimet personale të asaj periudhe, më vjen në mend një mbrëmje, kur në tavolinë krahas konsullit grek të qytetit të Korçës ishte dhe shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, i cili me elegancën e vet i kujtoi bashkëbiseduesit fqinj epërsinë e Korçës, ndikimin e saj, shkëlqimin e saj, shpresën e saj për ringjallje në historinë moderne të Ballkanit.

Korça e sotme është një nga qytetet që i është zgjuar shkëlqimi. Një qytet ku zhvillohet një jetë e vrullshme ekonomike, të turizmit të fundjavës së bashku me Voskopojën e rilindur. Është një qytet që jep dhe merr me Greqinë fqinje, me Maqedoninë dhe me Tiranën, për shkak të zhvillimit të rrugëve të komunikimit, një qytet krenar për origjinën e vet, i cili nuk e vuan atë ndikim të Greqisë, të viteve të para të tranzicionit, sepse vizat janë të liberalizuara. Duke jetuar në një bashkëjetesë simbiotike me kulturën greke, ekonominë greke, pavarësisht problemeve që ajo është duke kaluar sot, Korça e sotme, për shkak të Rilindjes Urbane ofron shumë mjedise që shpërfaqin kozmopolitizmin e saj, lashtësinë e  saj, por dhe qytetërimin e saj të Mesjetës, veçanërisht me kishat dhe xhamitë e mrekullueshme. Në këtë kuptim, zgjedhja e këtij vendi për takim është e qëlluar. Korça është një nga qendrat më të rëndësishme të qytetërimit shqiptar dhe ndoshta një nga dy vatrat më të rëndësishme të Rilindjes shqiptare. Afërsia e saj fizike me Greqinë, duke pasur këto cilësi, e ka simbolikën e vet për mysafirët grekë, ndonëse Greqia pretendon se edhe Korça i përket qytetërimit të saj. Korça është një nga qytetet në të cilën janë rritur bamirës të rëndësishëm siç janë SINËT, por dhe bamirës të tjerë, që kanë ndikuar në qytetërimin grek, në themelimin jo thjesht fizik të institucioneve greke që mbijetojnë dhe sot. Kur them Korça, e nënkuptoj si pellg, bashkë me Voskopojën, e pse jo bashkë me Kolonjën. Kjo Korçë ka qenë dhe është dhe sot një qytet ose një pellg urban, një pellg demografik, një pjesë e qytetërimit shqiptar, ballkanik, i cili ka prodhuar ndërmarrës të fuqishëm që kanë zhvilluar aktivitetin e tyre të biznesit, në Shqipëri, por edhe në Greqi. Korça si pellg ka pjesën e dhimbshme të masakrave greke në Panarit, etj., por përkujtimi i saj në ditët e sotme mund të bëhet me forma të tjera dhe jo ngjitur me vendtakimin e diplomacisë së dy vendeve.

 

Çështja e pronave të korçarëve-pse jo protestë me koreografi inteligjente?

Qytetarët shqiptarë të Korçës kanë prona të rëndësishme në zonën e Selanikut apo në veriun e Greqisë, për të cilat po luftojnë prej shumë vitesh. Por me gjasë ata ose kanë humbur shpresën, ose po luftojnë individualisht duke u zvarritur nëpër gjykatat greke (disa dhe kanë fituar). Kjo luftë ka filluar në periudhën e mbretit Zog. Korçarët janë përpjekur në heshtje në periudhën e Enver Hoxhës, duke luftuar nëpërmjet kanaleve të kufizuara të të ashtëquajturës Shoqëri Komisionere, të përfaqësuar në Greqi nga një avokat me mbiemrin Qirko. Kanë luftuar prej viteve të para të pluralizmit, vazhdojnë të luftojnë edhe sot. Kanë pasur sukses në disa prej pronave dhe në këtë kuptim, Korça kërkon hisen e vet nga relaksimi i marrëdhënieve greke. Heqja e ligjit të luftës do duhet të ketë efektin kryesor në çlirimin e pronave shqiptare në Greqi, që përfaqësojnë vlera të mëdha ekonomike. Në këtë kuptim, Korça është një qendër me simbolikën e vetë, do të duhet të krijojë një mjedis frymëzues për atë që do të jetë qëndrim diplomatik shqiptar në këto negociata që pritet të jenë të vështira.

Ndoshta pasaardhësit korçarë të atyre familjeve mund të ishin organizuar, të kishin organizuar një koreografi që të kujtonte pikërisht këtë pretendim krahinor, por dhe kombëtar kundrejt palës greke me rastin e organizimit të negociatave. Nuk sugjeroj protesta të dhunshme, sepse diplomacia ka nevojë për qetësi, por për dukshmëri, koreografi të dukshme, të qytetëruar, të pamohueshme të asaj se çfarë kërkojnë korçarët, përkatësisht shqiptarët në Greqi. Ok, protesta e mirditorëve, por korçarët ishin dhe janë në të drejtën e tyre, madje kanë dhe një ditë për ta bërë të mundshme këtë.

Cili është pozicioni i palës greke?

Sot rrethanat janë pak më të mira për të diskutuar dhe për probleme të rënda historike, me gjithë peshën e tyre aktuale. Greqia vjen paksa më e relaksuar në pikëpamje diplomatike në marrëdhënie me Shqipërinë. Shqipëria duket se i ka dhënë koncesione të vogla në raport me çështje si ajo e varrezave, që në fakt u zhbllokua, duke hedhur një hap drejt respektimit të një marrëveshjeje ndërkombëtare të firmosur nga qeveria Berisha. Greqia është e relaksuar, sepse duket që po zhbllokohet edhe marrëdhënia me Maqedoninë për çështjen e emrit. Greqia duket se ka hyrë në këto negociata, me një ndjenjë që ngjan si ndjenjë superioriteti. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria është inferiore: jo, Shqipëria duket se e ka kapërcyer situatën e zbythjes të krijuar prej vitit 1996, me goditjen e tmerrshme të 1997-s, për të rimarrë terren me shpejtësi prej 2013-s në marrëdhëniet me Greqinë.

Por ka munguar dhe diçka tjetër

Që ky forcim i palës shqiptare në negociata të ndodhte më natyralisht, do duhet të ishte paraprirë nga një debat publik: ai nuk është paraprirë nga diskutime serioze, se cila duhet të ishte platforma e këtyre bisedimeve. Në Parlament nuk ka patur diskutime rreth saj, si po ndodh në një farë mase në Greqi. Parlamenti është dominuar nga tema që lidhen me të ashtuquajturën Reformë në Drejtësi dhe vetëm Tritan Shehu, ish-ministër i jashtëm, po del me qëndrime dinake, që i japin të drejtë Greqisë dhe e quajnë kohë të humbur kohën e rritjes së dinjitetit përballë fqinjit verior. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet që ka mbajtur flamurin për diskutime të tilla, nuk ka dukshmërinë që ka patur.

Duket se atmosfera që i paraprin këtyre takimeve dhe atmosfera e përgjithshme dhe atmosfera e Korçës është më e qeta e mundshme për të zhvilluar një takim rezultativ, por nga ana tjetër mungon kombinimi midis skifterëve dhe pëllumbave (linjës së ashpër dhe asaj të butë në çështje me interes kombëtar) që siguron optimizim negociatash diplomatike kaq delikate, siç janë këto që do të zhvillohen në Korçë.

Korça ngjan pra se është selia më e përshtatshme, me simbolikën e vet të fuqishme për rolin që ka patur në qytetërimin shqiptar, në Rilindjen tonë Kombëtare, pavarësisht karakterit të hapur të saj, karakterit kozmopolit të saj.

Korça me Voskopojën, një vatër e rëndësishme qytetërimi shqiptar, por edhe një qendër ku ngërtheheshin në Mesjetë kontribute edhe të popujve të tjerë në Ballkan, ku kufijtë mes popujve dhe kombeve ishin të dobët, kur nuk kishte qarkullim masiv, përfaqëson sot një mjedis frymëzues për zgjidhjen e problemeve të mëdha historike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Por Korça mund të kishte zgjedhur të ishte e pranishme në tryezën e bisedimeve jo thjesht si seli…

Video e plotë: https://www.facebook.com/web.konica.al/videos/417355432031335/