Pas dy ditësh vendoset fati përfundimtar i Ergys Kaçes

Siç është raportuar në dy javët e fundit, Ergys Kaçe mund të kalojë te Panathinaikos. Por gjithçka në lidhje me këtë çështje do të vendoset të hënën. Këtë e konfirmon agjenti i lojtarit shqiptar, Nick Kagioulis, i cili përgënjeshtron se është arritur akordi për futbollistin e Kombëtares shqiptare.

“Nuk do të kemi asnjë problem të largohemi, nëse destinacioni do të jetë i dëshiruar. Ka disa detaje që duhen diskutuar me PAOK-un dhe ne jemi të hapur. Kaçe dëshiron të qëndrojë, por nëse nuk janë kushtet e duhura, do të synojë një skuadër ku të gjejë më shumë hapësira”, – thekson Kagioulis, i cili shton se ai është një profesionist dhe nuk ndihet aspak komod në këtë situatë.

Një deklaratë që lë të hapur mundësinë e largimit nga Selaniku të mesfushorit shqiptar, që këtë sezon ka gjetur shumë pak hapësira dhe është lënë jashtë projekteve të drejtuesve aktualë. Gjatë ditëve të fundit është përfolur pista që e çon lojtarin korçar te Panathinaikosi, por momentalisht nuk ka asgjë konkrete dhe e ardhmja e tij vazhdon të mbetet e paqartë.