“Penalizime dhe subvencionime”, Rama tregon se çfarë do ndodhë me aksionin e ujit

Kryeministri Edi Rama vijoi axhendën në Lezhë me një takim me zyrtarë të njësive vendore të qarkut, takim i cili vjen pas mbeldhjes së qeverisë.

Fokusi i takimit ishte kryesisht aksioni i ujit që nis në mmuajin Shkurt. Rama ka kërkuar nga aktorët e qeverisjes lokale angazhim, duke theksuar se pushtetit lokal i takon pjesa kryesore e aksionit.

Veç ndëshkimeve për abuzuesit, kreu i qeverisë tha se qeveria do subvencionojë qytetarët në nevojë për instalimin e sahatëve të ujit.

“Të vazhdojmë të rrisim ndjeshmërinë për ata që kanë lidhje të paligjshme uji. Qeveria do subvencionojë qytetarët në nevojë për instalimin e matësave. Nga 1 shkurti do ketë penalizime për lidhjet e paligjshme”, tha Rama.

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se institucionet publike dhe ato bashkiake janë debitoret më të mëdha ndaj ujit. “Kjo është e pafalshme. Ata duhet të jenë të parët që do promovojnë këtë aksion. Do subvencionojmë qytetarët për instalimin e sahatëve. Nëse këto ujësjellës nuk do menaxhohen, atëherë do shkojmë drejt agregimit, dmth bashkimit të këtyre ujësjellësave me ata që janë më të suksesshëm. Eshtë një problem social furnizimi i popullatës me ujë të pijshëm”, tha Gjiknuri.

Demaskim hoteleve në mes të Tiranës:

Rama tha se ka mjaft biznese, ndër to edhe hotele në qendër të Tiranës, të cilët deklarojnë se furnizohen me pus, gjë e cila sipas tij nuk është e vërtetë, pasi këto biznese vjedhin ujin nga ujësjellësi.

“Po të shikojmë edhe tek uji ka shumë biznese që nuk e paguajnë në mënyrë të rregullt. Ka edhe hotele në mes të Tiranës që deklarohen sikur furnizohen me pus, në fakt furnizohen ilegalisht nga rrjeti i ujësjellësve.

U bëj thirrje këtyre mega-gënjeshtarët, të pasurit e këtij vendi, të mos luajnë me zjarrin, se do bëhen shembull publik, jo vetëm do ndiqen penalisht, por do demaskohen publikisht për këtë aktivitet grabitqarë në mes të qytetit. Vjedhin nga sistemi i ujësjellësit.

Do vijojmë procesin për të formalizuar sa të jetë e mundur”, tha Rama.