Real Madrid thyhet në shtëpi, Zidane drejt shkarkimit (Video)

Dy humbje radhazi në “Santiago Bernabeu” dhe me Real Madrid që ka fituar vetëm një ndeshje (Kupa e Mbretit) në 5 takimet e fundit bën që trajneri Zinedine Zidane të jetë thuajse i shkarkuar, edhe pse në 18 muaj i dha 8 trofe “Los Blancos”. Madrilenët kanë humbur sot 0-1 përballë Villarreal, ku fati i ka dënuar, pasi vendasit kanë goditur dy herë shtyllën dhe kanë pasur shumë raste shënimi. Real mbetet në vend të katërt, ndërsa Villarreal i afrohet në vend të 5-të me vetëm 1 pikë.

Cristiano Ronaldo ka pasur dy raste të pastra në pjesën e parë, por në të dy rastet ka qenë i pafat, pasi topi ka prekur shtyllën dhe ka përfunduar jashtë. I pafat edhe Bale, kur vetëm pak metra para portës kundërshtare, nuk arrin të shënjestrojë. Në fund, Villarreal është treguar cinike dhe epitetin “Nëndetësja e Verdhë” e meriton plotësisht. Në 87’, kur Real ishte i gjithi para, Fornals ndëshkon vendasit. Në fund Villarreal mbrohet fort dhe merr tri pikë.