Rëndohet situata për peshëngritjen shqiptare…

Sikur të mos mjaftonte skandali i radhës i dopingut, dorëheqja e presidentit Elez Gjoza apo heqja e së drejtës së organizimit të Europianit të shtangës së këtij viti, peshëngritjen shqiptare rrezikon edhe më shumë, duke nisur përjashtimi për një kohë të gjatë në aktivitete dhe gjoba të majme për federatën.

“Kishte një reagim aq të fortë nga publiku dhe nga mediat në Shqipëri, saqë të gjithë dhanë dorëheqjen”, – tregon Hasan Akus, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Peshëngritjes. “Në momentin që flasim, Shqipëria nuk ka një Federatë, nuk është askush që të organizojë Europianin. Është një problem i papritur dhe shumë serioz për ne dhe anëtarët tanë”, – theksoi ai për “insidethegames”.

“Kemi mësuar se shumë shtete kanë prerë biletat e avionëve për të udhëtuar në Tiranë”, – u shpreh  Sekretari i Federatës Rumune. Si pasojë e këtyre problemeve që ka shkaktuar, Shqipëria parashikohet që të mbetet jashtë aktiviteteve ndërkombëtare për një periudhë të gjatë, si dhe gjithçka të shoqërohet me sanksione të rënda financiare.