Shpërthimi në Shkodër/ Policia jep detaje: Shoqërohen disa persona në komisariat

Policia e Shkodrës ka nxjerrë në pah detaje të reja lidhur me shpërthimin e ndodhur në Shkodër, ku mbetën 8 persona të plagosur.

Policia ka njoftuar se ka ngritur pika të shumta kontrolli në pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit. Ndërkohë janë shoqëruar disa persona në komisariat.

Informacioni nga Policia 

Sot rreth orës 10:45 në lagjen ‘Partizani’, Shkodër, ka ndodhur një shpërthim me lëndë plasëse. Menjëherë kanë shkuar forca të shumta policie ku konstatuan se në një mjet tip motor dyshohet se ishte vendosur lëndë eksplozive.

Si pasojë e shpërthimit janë plagosur shtetasit L.K. 42 vjeç, banues në Shkodër, pronar i objektit dy katësh, i cili po hipte në mjetin e tij dhe ndodhet në gjendje të rëndë, D.M, 32 vjeç, banues në Shkodër, ndodhet në gjendje të rëndë dhe G.C., 40 vjeç, banues në Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.

Të tre këta shtetas u dërguan në Spitalin e Traumës Tiranë për mjekim të specializuar. Lëndime më të lehta kanë pësuar dhe 5 shtetas të tjerë që ndodhen në spitalin rajonal Shkodër për ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje ndodhet grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër dhe po punohet për zbardhjen e autorësisë së kësaj ngjarje. Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit.

Forcat e Rendit dhe FNSH e Shkodrës kanë kryer shoqërime dhe po marrin deklarime nga persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Agjentet e Krimeve kanë sekuestruar pamje filmike me vlerë për hetimin. Në Shkodër kanë mbërritur dhe ekspertë të Krimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe drejtuesi i FLO.