Shqipëria ndihmon industrinë italiane të lëkurës të mbajë lidershipin global/ Ja me sa miliardë euro shitje e mbyll 2017-ën

Këpucët, aksesorët dhe veshjet e brendshme të makinave kanë bërë që industria italiane e lëkurës të fluturojë, pas disa vitesh ngadalësimi, e bashkë me të fluturojnë edhe eksportet.

Sipas unionit kombëtar të kësaj industrie, Italia e mbylli vitin 2017 me një rritje të eksporteve prej 9% në volum dhe 1% në vlerë. Në këtë mënyrë, sektori që në Itali punëson rreth 18 mijë njerëz në 1200 ndërmarrje, ka një faturë finale vjetore të shitjeve prej 5 miliardë eurosh.

Meritë në këtë rritje kanë edhe bizneset fasone shqiptare, çka konfirmohet edhe nga ndryshimi i hartës të delokalizimit. Dërgimi i lëndëve të para ka shënuar rënie drejt industrisë së manifakturës në Rumani, Tunizi, Bullgari dhe Serbi, ndërsa është rritur volumi për Shqipërinë, Çekinë dhe Hungarinë.

Sipas INSTAT, importet shqiptare të lëkurës janë dyfishuar përgjatë 5 viteve të fundit, ndërsa për 2017-ën pritet një rritje e mëtejshme me 8,3%, duke ia afruar vlerës së 15 miliardë lekëve.

Lëkura “made in Italy” mban prej kohësh rekordin tregtar botëror, ku 26% e lëkurëve të përpunuara në botë kanë origjinë italiane. Ndër tregjet ku eksporton Italia, kanë regjistruar një performancë më të mirë këtë vit Britania e Madhe, në rritje me 7% dhe Vietnami në rritje me 14%.

Ndërkohë, në garën brenda Bashkimit Europian Italia sigurisht sundon mbi vendet e tjera. Në këtë industri rritje ka patur Franca, ndërsa shtetet e tjera kryesore kanë shënuar tkurrje. /SCAN