Sot Lamtumira për Rexhep Çelikun, nderimet e fundit për valltarin fluturues

Do t’i jepet sot lamtumira Rexhep Çelikut, solistit të parë dhe koreografit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Homazhet do të mbahen sot në orën 11:00-13:00 në Muzeun Historik Kombëtar

Valltari Rexhep Çeliku ndërroi jetë dje në moshën 64-vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Mjeshtri u shua në shtëpinë e tij në Tiranë, rreth orës 03:30 të mëngjesit të së premtes, 12 janar 2018.

Pak ditë më parë u vlerësua nga presidenti Meta me dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’.

Rexhep Çeliku ka interpretuar solistin e parë në 200 valle, ka marrë pjesë në 500 shfaqe në skena të ndryshme në tre kontinente, ka marrë pjesë në 30 festivale ndërkombëtare, ka interpretuar në më shumë se 3000 shfaqje artistike; ka merituar dhjetë Çmime të para “Si interpetuesi më i mirë”.

– Në vitin 1978 dekorohet me Medalje ari në Itali si valltari më i mirë i Festivalit Ndërkombëtar.
-Në vitin 1996 dekorohet në Itali me Medalje argjendi.
– Në vitin 2000 merr çmimin e dytë në Festivalin Folklorik Botëror
-Në vitin 2000 dekorohet në Maqedoni (FYROM) me Medalje dhe Çmim të parë si koreograf.
-Në vitin 1983 dekorohet me Urdhërin “Naim Frashëri” i klasit të dytë.
-Në vitin 1987 dekorohet me Urdhëri “Naim Frashëri” i klasit të Parë.
-Më datën 18. 11. 2005, i jepet titulli “Nderi i Qarkut të Tiranës”.
-Më datën 8.12.2005 Presidenti i Republikës, Z.Alfred Moisiu, e nderon me titullin “Mjeshtër i Madh”.
-Në vitin 2011 nderohet me titullin e madh “Ambasador i Paqes”.
-Më 7 mars 2012 dekorohet në Maqedoni (FYROM) me titullin “Simbol i Paqes dhe i Lirisë”.
-Më 8 janar 2018 dekorohet me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, Z.Ilir Meta.

Figura emblematike dhe e veçantë e tij në skenë, kaq emocionuese sa edhe mbresëlënëse në portretin e tij të hekurt, por edhe në gjithë gjymtyrët e tij, me të drejtë është simbolizuar në thënien tronditëse “Njeriu që vallëzon me shqipet”.