STUDIMI: JO, nuk është as Rama, as Berisha, as Basha! Deputeti më efikas në Kuvend është…

Funksioni i deputetit nuk është vetëm të mbajë fjalime në seancat plenare, por shumë më kompleks.

Deputetët kanë të drejtë dhe rrjedhimisht edhe detyrë të propozojnë ligje të reja, të bëjnë amendime të ligjeve ekzistuese, të kërkojnë e zhvillojnë séance pyetjesh në Kuvend ose interpelanca me kryeministrin ose ministra të caktuar, në marrë pjesë e të diskutojë e kontribuojë në punën e komisioneve të përhershme e të përkohshme parlamentare, të marrë pjesë dhe të kontribuojë përmes votimit, propozimeve, debatit dhe diskutimeve në seancat plenare, të zhvillojë jetë aktive në funksion të zgjedhësve që përfaqëson.

Gjithashtu deputeti duhet të ndjekë standarde të larta etike, dhe për rrjedhojë, të mos penalizohet për shkelje të ligjit apo të Rregullores, të mos jetë subjekt për heqje imuniteti apo akoma më keq, të mos jetë subjekt për heqje mandati për shkak të shkeljes së rëndë të ligjit dhe të Kushtetutës.

Instituti i Studimeve Politike dhe platforma monitoruese ëëë.deputetim.al, bazuar në këto kritere dhe duke u dhënë përparësi vlerësimit pozitiv (nisma ligjore 10 pikë, amendimet ligjore 10 pikë, interpelancat 10 pikë, votimi i ligjeve 10 pikë, pyetje adresuar institucioneve 10 pikë, aktiviteti publik 10 pikë, fjalime dhe angazhime në séance 20 pikë dhe diskutim e angazhim në komisionet parlamentare 20 pikë, pra në total 100 pikë), por edhe duke bërë vlerësimin zbritës negativ (përjashtim nga seancat ose komisionet – 10 pikë, heqje imuniteti apo abuzime financiare në deklarim e përfitim nga -20 pikë, si dhe heqje mandati -20 pikë, në total -100 pikë) ka krijuar për herë të parë një standard vlerësimi pozitiv e negativ për punën e deputetëve.

Klasifikimi është bërë për periudhën shtator-dhjetor 2017 dhe do të vijojë për çdo sesion parlamentar deri në fund të legjislaturës.

Metodologjia nuk është unike për Shqipërinë, është praktikë pune e parlamenteve perëndimore, por e përshtatur në tregues me rastin shqiptar, për shkak të sistemit elektoral që kemi, rolit të partive politike në nismat parlamentare, si dhe specifikave të sistemit.

Për shembull, nëse një deputet inicion një ligj si person merr vlerësim 10 pikë, por nëse ai e paraqet një amendim në emër të partisë së tij politike, pra nuk është 100% produkt e nismë personale, atëherë vlerësohet me 50% të pikëve, pra me 5 pikë.

Aktualisht kemi një numër të madh deputetësh që kanë paraqitur nisma ligjore në emër të partisë, pra janë përzgjedhur nga drejtuesit e grupit për të paraqitur amendime, sic kemi deputetë që e kanë ushtruar këtë të drejtë pa orientim partiak, por si nismë personale.

Po ashtu, në listë nuk janë përfshirë tre emra, kryetari Ruçi, kryeministri Rama dhe kryetari i PD Basha, për shkak të funksionit të tyre, si dhe nuk janë përfshirë ministrat deputetë, për shkak të natyrës së veçantë të aktivitetit ekzekutiv dhe parlamentar.

Cilët janë deputetët me efektivitet më të lartë?

Përgjigja është e thjeshtë: të tillë rezultojnë deputetët me përvojë parlamentare, që njohin mirë rregulloren, kompetencat, praktikat e punës dhe që i shfrytëzojnë ato pozitivisht në funksion të punës së tyre.

Nga tabela rezulton se deputetët me efektivitet më të lartë gjatë periudhës shtator-dhjetor 2017 janë Braçe (PS), Vokshi e Tabaku (PD), ndjekur nga Vasili (LSI), Balla e Felaj (PS), Boçi, Spaho e Gurakuqi (PD).

Diferencat në pikë janë minimale dhe tabela ilustron tërësinë e pikëve vlerësuese pozitive e negative të tyre. Kush janë në vendet e fundit, me tregues negativ efektiviteti?

Natyrisht dy deputetët që humbën mandatin në kuadër të dekriminalizimit, dhe përpara tyre, “të heshturit” në parlament, si dhe ish ministri Tahiri, nën hetim dhe pa imunitet parlamentar.

Ku janë emrat e tjerë të njohur të politikës? Secili sipas meritës: p.sh, nëse deputetë si Berisha apo Kryemadhi janë aktiv në parlament në debatet në seanca, nuk kanë vlerësime pozitive në treguesit e tjerë, p.sh, njëri prej tyre nuk merr pjesë asnjëherë në komisione dhe as diskuton ose propozon ligje aty, nuk merr pjesë në votimin e shumicës së ligjeve në Kuvend ose tjetri ka qenë objekt edhe i penalizimit me përjashtim 10 ditor nga seancat e komisionet parlamentare.

Pra, nga të dhënat e monitorimit rezulton se kemi deputetë që janë aktiv në fjalime në parlament, por nuk janë aktiv në komisionet parlamentare, ndaj në klasifikimin e efektivitetit rezultojnë me kuotë shumë më të ultë sesa vlerësimi në seancë. Ka gjithashtu deputetë që debatojnë por nuk marrin pjesë në votimin e ligjeve, që nuk iniciojnë ligje dhe as bëjnë amendime, interpelanca e pyetje, siç ka deputetë që nuk janë aktiv në zonën e tyre elektorale dhe as në jetën publike.

ISP vlerëson se është në interesin publik të zgjedhësve, medias dhe publikut për të njohur më mirë dhe më në thellësi cilët janë përfaqësuesit e tyre politikë, sa përfaqësues dhe efektiv janë ata, sa mbahen premtimet dhe cilat duhet të jenë standardet më të larta të përfaqësimit në të ardhmen.

Raporti i detajuar me të dhënat për secilin emër, aktivitet dhe pikëzim, të dhëna për grupet parlamentare dhe klasifikimin gjinor, për vendimmarrjet në komisione dhe përqindjet e votimit të akteve në Kuvend, si dhe të dhëna të tjera specifike, janë pjesë e materialit final mbi monitorimin që Instituti i Studimeve Politike do të bëjë publike dhe do ia dërgojë çdo deputeti gjatë ditëve në vijim.

Instituti i Studimeve Politike