“Ti je vetëm e imja, s’ke për t’u fejuar me tjetër njeri”/ 22-vjeçari dashuronte kushërirën

Pas ngjarjes që tronditi mbarë opinionin publik, ku një 22-vjeçar tentoi të vriste me breshëri plumbash një minorene, detaje tronditëse janë zbuluar nga ana e uniformave blu. Të dy të rinjtë thuhet se janë kushërinj të dytë.

Fillimisht, burime të pakonfirmuara thanë se djali, pasi kishte marrë vesh se personi që donte, do të fejohej pas vendimit të marrë nga ana e prindërve të saj, ai nuk ka duruar dhe menjëherë ka marrë armën.

Ngjarja, fatmirësisht pa pasoja për jetën ndodhi në Babunjë të Divjakës, ku një 22-vjeçar tentoi të vriste me breshëri plumbash vajzën që donte.

“BalkanWeb” mëson se Bajram Krasniqi (me origjinë nga Kosova), ishte i lidhur me 14-vjeçaren që qëlloi me kallashnikov. Dy të rinjtë kishin lidhje gjaku, ndërsa thuhet se ata janë kushërinj të dytë.

Zanafilla e ngjarjes

22-vjeçari prej kohësh ngacmonte bashkëfshataren e tij të mitur, që e kishte edhe kushërirë të afërt. Dy të rinjtë komunikonin me njëri-tjetrin, por nuk dihet nëse vajza e dashuronte djalin.

“Ti je vetëm e imja, s’ke për tu fejuar me tjetër njeri”, kështu mësohet ti ketë thënë 22-vjeçari të miturës, pasi e kishte marrë vesh se ajo do fejohej.

Pas shumë kohësh përndjekje dhe tentativave të vajzës për ta larguar, djali nuk kishte hequr dorë. “Jam e fejuar me dikë tjetër tani, mos mu afro më”. Kështu i ishte shprehur një ditë 14-vjeçarja kushëririt të saj. Por Krasniqi në inat e sipër, pas këtij reagimi, ka siguruar një armë zjarri automatik pa leje, ndërsa ka vendosur të marrë “hak” ndaj vajzës që dashuronte.

Siç raportuan edhe burime policore, i riu ka pritur në datën 10 janar sa vajza të mbaronte shkollën dhe në qendër të fshatit i ka zënë pritë. Më pas ka qëlluar në drejtim të saj 3 herë, por fatmirësisht plumbat nuk e kapën 14-vjeçaren dhe asnjë banorë tjetër përreth.

Pak pas ngjarjes ai u largua nga vendi i krimit, ndërsa armën e fshehu diku në një tokë bujqësore. Pavarësisht tentativave të tij për t’i shpëtuar policisë, Barjam Krasniqi ra në prangat e policisë, ndërsa më pas tregoi edhe se ku e kishte fshehur armën e krimit. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.