Unike, një koreano-verior mund të luajë tek Juventus

Juventus ka vënë në shënjestër edhe sulmuesin 19-vjeçar nga Korea e Veriut, Han Kwang Song. Ai luan aktualisht në formë huazimi me skuadrën e Perugia-s, por pronësia e tij është e Cagliarit. Mediat italiane konfirmojnë interesimin e bardhezinjve për sulmuesin 19-vjeçar, që sipas tyre, është gati për të bërë kapërcimin e madh dhe të luajë në Serie A.

Disa sondazhe të para nga ana e drejtorit sportiv Beppe Marotta janë kryer dhe ata duan që ta sjellin futbollistin që verën e ardhshme në Torino. Drejtuesit e Cagliari e vlerësojnë lojtarin 10-12 milionë euro, por kjo shumë mund të ulet në rast se në bisedime futen edhe të rinjtë Aberto Cerri (21 vjeç) e Emil Audero (20 vjeç), që mund të shkojnë në drejtim të skuadrës sarde.