Varrezat, ligji i luftës, çështja çame, ku është dhurata greke?

Në një shkrim të mëparshëm ne trajtuam çështjen e varrezave të ushtarëve grekë si pjesë e negociatave të Kretës midis dy ministrave të jashtëm grekë dhe shqiptarë. Ndërkohë sipas raportimeve, intervistave që i paraprinë takimit të Korçës, mes dy ministrave të jashtëm shqiptarë dhe grekë, një nga temat e përfolura në bisedimet shqiptaro greke në shumë vite është e ashtuquajtura çështje e ligjit të luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila pritet të zgjidhet përfundimisht. Po a mund të zgjidhet vallë?

Sipas një pasqyre të shkurtër të trajtimit të saj prej autoriteteve shqiptare rezulton ky grafik: deri në vitin 1987- intensivisht; 1987-1992, temë e heshtur; 1992-1994, e përmendur shpesh: në  1999 e përmendur vetëm nga Presidenti Meidani dhe shumë zbehtë nga të tjerë drejtues; në 2006 nga Presidenti Moisiu dhe prej 2013, rregullisht nga kjo qeveri.

Po cila është e vërteta e ligjit të luftës?

Ligji i luftës 2636 dhe 2637/1940, është ligji grek me anë të cilit Shqipëria dhe italia shpalleshin shtete armiq; midis tyre dhe Greqisë vendosej gjendja e luftës; shtetasit e këtyre vendeve konsideroheshin shtetas armiq; pronat e tyre në territorin grek konsideroheshin si prona armike dhe vendoseshin nën sekuestro konservative, të administruara nga privatë që i jepnin shtetit grek 15% të të ardhurave nga këto prona. Në përfundim të luftës, do duhej miratuar një traktat paqeje mes dy vendeve që zgjidhte si trajtoheshin pronat- shpronësoheshin për dëme lufte, etj, etj. Ligji grek u shpall si pasojë e veprimeve ushtarake italiane nga territori shqiptar, madje formalisht ai ka ardhur si përgjigje e ligjeve italiane dhe të autoriteteve kuislinge shqiptare për t’i shpallur luftë Greqisë. E këtu qëndron kleçka: Shqipëria nuk ishte shtet sovran, por Greqia për llogaritë e veta të pasluftës, preferoi ta konsideronte si shtet armik.

Por ligji i luftës nuk është baraz me gjendjen e luftës.

Gjendja e luftës është gjendja e armiqësisë midis dy shteteve të cilët ndonëse mund të mos jenë në konflikt real me njeri tjetrin, në çdo moment, pa paralajmërim mund të sulmojnë njeri tjetrin.  Në Shqipëri shpesh, madje dhe politikanë të lartë, e ngatërrojnë ligjin e luftës me gjendjen e luftës: gjendja e luftës është shfuqizuar dhe de jure me një vendim qeveritar grek të 1987-ës, por dhe nëse jo, qenia e dy vendeve- anëtarë të OKB-së, me marrëdhënie diplomatike të vendosura në 1971, nënkupton se mes tyre nuk ka gjendje lufte. Megjithatë sipas dy shkresave greke të 1999, dhe 2007, dy shtetet në përkufizim të këtyre ligjeve ende të pashfuqizuar, konsiderohen si shtete armiq.

Deklarimet publike greke, karamelja apo dhurata e re për ligjin e luftës.

Për herë të parë, pas mohimit sistematik se ligji ishte shfuqizuar nga realiteti i gjërave, apo nga Traktati i miqësisë i 1996-ës, etj, etj, ministri i jashtëm grek Kotzias ka thënë publikisht se ligji i luftës është një budallallëk historik që duhet shfuqizuar. Parardhësi i tij Venizelos thoshte se meqë ka njëlloj ndjeshmërie shqiptare për këtë çështje, do gjejmë një përgjigje, por nuk kishte qenë  kaq eksplicit sa pasaardhësi i tij Kotzias, i cili nga njera anë foli për shfuqizimin e ligjit dhe nga ana tjetër foli për çështjen e pronave shqiptare të lidhur me të, si një proces që do kërkonte kohë. Pra, ai i ndau dy çështjet.

Shfuqizim presidencial, apo?

Para një paneli gazetarësh grekë në dhjetor 2017, Ministri Kotzias thotë se ligji i luftës është shpallur me një dekret mbretëror. Ministri Kotzias thotë se u zgjodh dekret mbretëror për të shpallur luftën ndaj Shqipërisë, sepse Greqia në kohën e luftës nuk kishte mundësi të  mblidhte Parlamentin. Në kushtet e sotme, tha ai, ka dy teza: ose me një dekret presidencial, ose duhej të bëhej me një ligj Parlamenti. Kotzias thotë se unë mbroj tezën që duhej ta bëjë presidenti, sepse kreu i shtetit atëherë ishte mbreti, ndërsa tani kreu i shtetit është presidenti. Zgjidhja presidenciale greke sot ngjan më pa zhurmë, ndonëse në vitin 198, presidenti i kohës Karamanlis nuk pranoi ta bënte një gjë të tillë krahas kryeministrit Papandreu, diçka që e gënjeu qeverinë komuniste të Ramiz Alisë i dëshiruar për të rivendosur marrëdhënie normale me Greqinë.

Për Shqipërinë sot nuk ka shumë rëndësi se kush e bën, mbreti apo Parlamenti, por ka rëndësi nëse ky akt do të jetë apo jo pjesë e një procesi që do të trajtojë drejtësisht gjithë pasojat e Ligjit të luftës. Mbi tē gjitha statusin e Shqipërisë në Luftën e dytë. Mbrapa kësaj ideje të Kotzias, e cila me siguri do të fitojë terren në realitetin shtetëror grek, qëndron një llogaritje taktike, sepse nëse çështja do shtrohet në Parlament, atëherë kjo do të jetë një temë që do hapte një debat të vjetër në politikën greke. Dhe nuk dihet se kush do të fitonte, ndërsa partia e Kotzias nuk është në pozita të forta. Dhe pikëpyetja themelore mbetet: nëse do diskutohet në Parlament, ligji i luftës thjesht shfuqizohet, apo do duhet të trajtojë edhe disa prej pasojave më të rëndësishme të ligjit të luftës?

Një këndvështrim politik, që në fakt ka pasoja juridike.

Me ligjin e luftës lidhet fakti që Greqia gjatë Luftës së Dytë Botërore, por dhe sot, e konsideron Shqipërinë si një shtet që e ka sulmuar fqinjin e vet jugor, si një shtet i cili kishte sovranitet, si një shtet i cili i ka krijuar dëme, si një shtet armik. Si pasojë janë sekuestruar pronat e shqiptarëve, të cilat për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, (78 vite që nga viti 1940), shqiptarët e kanë humbur të drejtën e pronësisë dhe vetëm shumë pak kanë patur shansin ta rifitojnë duke paguar shumë shtrenjtë avokatët grekë.

Me ligjin e luftës lidheshin edhe pretendimet territoriale greke, të cilat u bënë publike në shumë forume ndërkombëtare me statusin e shtetit fitues të luftës, por që nuk u morën parasysh nga bashkësia ndërkombëtare. Por këto pretendime në një farë mënyre, me Traktatin e Miqësisë të 1996, (i cili edhe ai është shfuqizuar) marrin fund, sepse në nenin 5 të këtij Traktati, thuhet se të dy palët njohin sovranitetin territorial të njëri-tjetrit në kufijtë ekzistues. Në këtë kuptim, çështja e pretendimeve territorial greke është mbyllur me Traktatin e Miqësisë e cila duhet të rifuqizohet, duke i shtuar vlefshmërinë për 20 vjet të tjera, ose do të ketë formulim të ri. Me gjasë sipas informacioneve do  kemi tekst të ri të një Traktati të miqësisë. E këtu kemi një moment shumë interesant: tekstin e Traktatit të 1996-ës, e afruan grekët tërësisht, ndërsa sot, me gjasë nuk do të jetë ashtu!

Kur vjen puna tek çështja e pronave shqiptare të ndërlidhura me Ligjin e luftës, Ministri i Jashtëm grek i pyetur nga gazetarët grekë ka thënë se çështja pronësore do shikohet në një moment të dytë të këtij procesi, i cili nuk do jetë një proces i shkurtër  dhe i thjeshtë, por do jetë i gjatë. Ka shumë të drejtë: do të fillonte një proces zinxhiror i cili mund të krijonte efekte domino në rajon, edhe me pronat maqedonase në Greqi, që gjithashtu janë të mëdha.

Vini re sesi Greqia është duke përgatitur opinionin e vet, për disa veprime që me gjasë mund të jenë lëshimet e saj në takimin e Korçës. Në një farë mënyrë ky takim duhet të prodhojë rezultate ndryshe nga Kreta e cila kishte karakter eksplorator. Korça pritet të jetë takim përgatitor i të zgjidhjeve të gjitha çështjeve që u hodhën në tavolinë, qoftë nga ato historike, qoftë atyre me natyrë aktuale, me natyrë moderne, për të cilat Ditmir Bushati përdor termin e shportës.

Lidhja e ligjit të luftës me çështjen e varrezave. Një episod i viteve të fundit me Moisiun

Në gjykimin historik, çështja e ligjit të luftës është e lidhur me çështjen e varreve greke; është e lidhur edhe me çështjen çame. Duke e konsideruar Shqipërinë si shtet sovran që e sulmoi në 1940, bashkë me italinë, Greqia e konsideroi popullsinë çame si popullsi bashkëpunëtore. Mbi këtë qasje diplomatike, Greqia mbajti në këmbë ligjin e luftës, përzuri dhe bëri genocid mbi popullsinë çame, përzuri  gjithë shqiptarët myslimanë nga territori i vet pas Luftës së Dytë Botërore, dhe praktikisht konfiskoi pasuritë shqiptare me vlerë disa miliarda euro.  Dhe për fat të keq, nga të dy palët nuk ngjan se kjo çështje është  adresuar në mënyrën e duhur.

Shqipëria duhet ti kërkojë Greqisë që të heqë dorë nga përkufizimi i popullit shqiptar si popullsi armike gjatë Luftës së dytë botërore, përkufizim që është mbajtur në këmbë historikisht nga të gjitha qeveritë greke. imagjinoni, është përsëritur edhe në vitet e fundit në mënyrë zyrtare. Një episod: Presidenti i Shqipërisë Moisiu, në vitet 2003 ose 2004 takoi Ministrin grek të Mbrojtjes, Spilios Spiliotopullos. Mysafiri grek vlerësoi faktin që babai i Presidentit (Spiro Moisiu) i cili ishte udhëheqës i një njësie shqiptare që bashkë me italianët kaloi në territorin grek, dezertoi dhe ndihmoi ushtarët grekë të kohës. Spiliotopullos vlerësoi kontributin e babait të presidentit, duke thënë se ai ishte një hero, një mik i Greqisë. Në deklaratën e shtypit të Presidencës së asaj kohe, këto merita nuk iu atribuan vetëm babait të presidentit Moisiu, por të gjithë popullit shqiptar: Greqia e përgënjeshtroi zyrtarisht Presidencën duke thënë se lavdëroi vetëm rolin e babait të Moisiut dhe jo të gjithë popullin shqiptar.

Po pse Greqia insiston që Shqipëria e ka sulmuar? Nëqoftëse Greqia pranon se shteti shqiptar nuk ekzistonte, që kishte humbur sovranitetin për shkak të pushtimit italian, atëherë Greqia duhet të heqë dorë nga pasoja më e rëndësishme e  ligjit të luftës, nga sekuestrimi i pronave si mjet dëmshpërblimi. Në një skenar të tillë, Greqia duhet t’ia rikthejë tërësisht palës shqiptare dhe atë që quhet fitimi i munguar, i cili ështe i barabartë me 15% nga vlera e përdorimit të tyre gjendet në Llogarinë e krijuar me këtë rast, në Bankën Kombëtare greke. Vlera e parave të grumbulluara (e 15% të përdorimit të pronave shqiptare) është e njohur për palën greke dhe nuk mund të fshihet!

Dhe ja lidhja me varrezat: nëqoftëse Greqia i mbahet përkufizimit se shteti shqiptar ka sulmuar atë, duhej pranuar se edhe ushtarët grekë në territorin shqiptar ishin pushtues. Të gjallët dhe të vdekurit. Nëse Greqia nëse kërkon që bijtë e saj të të vrarë apo vdekur, nga fatkeqësitë natyrore, nga i ftohti i tmerrshëm në vitet ’40-’41, atëherë ajo duhet të shikojë qëndrimin e vet ndaj kombit shqiptar gjatë Luftës së dytë. Vetëm nëse Greqia ndryshon përfundimisht qasjen e vet ndaj Shqipërisë së Luftës së dytë botërore, Shqipëria mund të sillet në mënyrë humanitare, njëjtë si u soll me të gjallët dhe me të vdekurit e Luftës së Dytë Botërore.