Veliaj: 2018-ta do të jetë viti i një revolucioni të gjelbër për Tiranën

Për Tiranën, 2018 do të jetë viti i një revolucioni të gjelbër. Krahas realizimit të një sërë projektesh të rëndësishme të cilat jo vetëm do të përmirësojnë infrastrukturën dhe shërbimet ndaj qytetarëve, Bashkia e Tiranës po i kushton një vëmendje të veçantë shtimit të gjelbërimit në kryeqytet duke përmirësuar jo vetëm anën estetike, por edhe krijuar një mjedis më të shëndetshëm për qytetarët

Në fjalën e mbajtur në konferencën “Financimi i Shërbimeve Mjedisore në Nivel Vendor pas Ndarjes Administrativo Territoriale”, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se Tirana do të rrethohet nga një mur i gjelbër, sikurse është projekti i Pyllit Orbital, ndërsa theksoi se paja më e mirë që ky brez do i lërë gjeneratës së ardhshme janë pemët e reja që po mbillen kudo në kryeqytet.

“Ne nuk besojmë te muret, ne besojmë në të tjera zgjidhje afatgjata, kjo është arsyeja që i vetmi mur për të cilin jemi duke punuar në Tiranë, është Pylli Orbital. Duam një mënyrë sesi të rrethojmë Tiranën me një unazë të gjelbër, e cila shërben për të ndarë pak zonën rurale, nga zona urbane dhe për të kufizuar urbanizimin e qytetit. Për sa kohë që jemi një qytet, i cili nuk mund të përballojë, jo vetëm Tirana, por asnjë qytet në Shqipëri pa hyrë në BE, një metro, kur 1 km metro kushton 300 milionë euro, do të thotë 3 buxhete vjetore të Bashkisë së Tiranës, për 1 km metro. Pra për sa kohë që ky është jorgani, do ti shtrijmë këmbët sa kemi jorganin. Do sigurohemi që densifikimi i Tiranës të bëhet cilësor dhe i kompensuar me këtë masivitet gjelbërimi, përndryshe çdo gjë tjetër është utopi e atyre që mund të duan ti përqafojnë pemët , por që s’kanë idenë si menaxhohet një qytet”, deklaroi kreu i Bashkisë.

Deri më tani në kryeqytet janë mbjellë 82 mijë pemë, ndërkohë që shumë shpejt do të realizohet mbjellja edhe e 18 mijë pemëve për të kapur rekordin e 100 mijë pemëve të reja. “Ne kemi një matës tek aprtirana.al që mat dhe numëron çdo pemë që kemi mbjellë. Sot ishte mbi 82 mijë, kështu që jemi rreth 18 mijë pemë deri në datë 21 mars. Kërkesa ime që secili prej jush që të na bashkohet dhe të mbjellë pemën e vet, për familjen, për të dashurin, për fëmijët apo për çdo lloj sebepi tjetër deri në datën 21 mars”, tha ai.

Veliaj u shpreh se 60 për qind e investimit për mbjelljen e pemëve të reja vjen nga privati, çka tregon edhe mbështetjen për këtë nismë.

“Vetëm 40% të asaj që ju shikoni që po mbillet në Tiranë në gjurmën e Pyllit Orbital, apo në parqet e qytetit është e bashkisë, 60% po vjen nga iniciativa private, nga kompani, nga institucione të ndryshme, nga qytetarë të thjeshtë. Çdo pallat me administratorin e vet, 5 pemë poshtë pallatit, nga individë, ditëlindja e fëmijëve, Shën Valentini, përvjetori i dasmës, përkujtimorja e dikujt që nuk jeton më, nëpërmjet një peme. Pra një buqetë sebepesh, arsyesh, pse dikush duhet të jetë pjesë e këtij kontributi. Unë besoj që garancia për ta ruajtur këtë investim, është fakti që shumica e investimit është bërë nga vetë qytetarët”, tha ai.

Krahas shtimit të gjelbërimit në kryeqytet, Bashkia e Tiranës po stimulon zgjidhje dhe teknologji të gjelbra, si me taksitë elektrike apo edhe me autobusët elektrikë që janë testuar me sukses në rrugët e kryeqytetit. Veliaj deklaroi se Tirana do të inkurajojë transportin e pastër dhe theksoi se në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak do të paraqitet propozim për linjën e parë të autobusëve elektrikë. “Kemi përgatitur një propozim për Këshillin Bashkiak për linjën e parë të autobusëve elektrikë. Do të miratojmë një linjë të re dhe do t’ju themi: “Kush sjell autobusë elektrikë, e merr menjëherë linjën”. Unë besoj që duke incentivuar, jo vetëm me shkurtim burokracie, që e kanë le të themi mjetet me diesel, por edhe duke vënë disa incentiva të tjera që nesër mund të përkthehen në më pak tvsh, më pak doganë, apo çmime të reduktuara të atyre që furnizojnë mjetet e transportit me energji elektrike”, nënvizoi Veliaj.

Gjithashtu, të gjitha ata që sjellin në kryeqytet taksi elektrike pajisen me licencë brenda 24 orëve. “Një nga gjërat që po bëjmë në Tiranë është inkurajimi i një transporti shumë herë më të dobishëm dhe të pastër. Sot kemi 3 kompani taksish që janë 100 për qind elektrike dhe karikohen nga rrjeti i OSHEE. Sot në Bashkinë e Tiranës, nëse një prej jush vjen dhe kërkon licencë për taksi 100 për qind elektrike, e merr licencën për 24 orë. Pse po e bëjmë këtë, pikërisht për të inkurajuar dikë që do të futet në treg me një transport më të pastër”, deklaroi ai.

Veliaj u ndal edhe tek ambicia e Bashkisë së Tiranës për krijimin e një rrjeti sa më të madh të korsive të dedikuara për biçikletat. Ndërkohë, muajin e ardhshëm rrugët e kryeqytetit pritet që të mbushen nga 4 mijë biçikleta të reja të cilat do të mund të përdoren nga qytetarët në çdo cep të Tiranës kundrejt një pagese edhe më të vogël se një biletë autobusi.

“Ne sapo kemi filluar një proces hiperaktiv të korsive të reja të biçikletave në Tiranë, për ta kthyer të gjithë qendrën me një rrjet minimal të biçikletave. Ideja jonë është që në vitin 2018 të bëjmë një transformim. Fillimisht po bëjmë korsi ultramoderne. Muajin tjetër do të sjellim 4 mijë biçikleta në Tiranë. Kosto e një biçiklete për përdorim do të jetë 30 lekë, pra më pak se një biletë autobusi. Ne duam që të jetë autobus më atraktiv se makina dhe pastaj biçikleta se autobusi”, deklaroi kreu i Bashkisë.

Ndërkohë Bashkia e Tiranës sëbashku me BERZH po hartojnë Green City Action Plan, një plan të zbatueshëm dhe të financueshëm veprimi për zhvillimin e qëndrueshëm të Tiranës. Veliaj deklaroi se Tirana është shumë herë më e pastër se sa tre vite më parë, ndërsa theksoi se në kryeqytet pastrimi bëhet e herë në ditë.

“Kuptuam se mënyra se si pastroheshin qytetet tona ishte bërë objekt kryesisht i disa firmave të një tipologjie gjysmë mafioze nga ato që ti shikon në Italinë e jugut të cilat pasi merrnin kontratën e pastrimit nuk kishin asnjë kontroll, përkundrazi nëse bashkia guxonte t’u vinte gjobë shkonin në Gjykatë Administrative dhe me marifetet që funksionojnë gjykatat tona, shfuqizonin të gjithë gjobat e bashkisë që është në fakt i vetmi autoritet kontrollues për mënyrën se si bëhej pastrimi. Dhe zbuluam shumë shpejt në punën tonë që mënyra më er mirë për të bërë pastrimin ishte ta shtetëzonim prapë. Tirana mund të ketë bindje të ndryshme politike, por nuk besoj se ka njeri që thotë Tirana është më pis se ka qenë. Është padyshim më pastër sigurisht edhe falë një performance që ne kemi në bashkëpunim me një bashki italiane”, nënvizoi kryebashkiaku Veliaj i cili vlerësoi e dhe nismën për reduktimin e qeseve në kryeqytet që kanë sjellë ulje të nivelit të ndotjes.

“Vetëm nga ky udhëzim që ne kemi në Bashkinë e Tiranës dhe marrëveshjen me supermarketet dhe dyqanet e bukës ka rënë përdorimi i qeseve në Tiranë me 60%, në disa raste edhe më shumë, pro mesatarja e këtij viti, 2017 është 60%. Nëse bie 60% konsumi dhe përdorimi i qeseve nga supermarketet, bie me 60% edhe numri proporcional i atyre që i hedhin këto qese në rrugë. E patë tek përmbytjet e Tiranës, në fakt kontributi kryesor nuk ishin kolegët e mi sepse ata bënë një punë fantastike për pastrimin e të gjithë pikave të nxehta gjatë verës që të na gjente dimri gati, por në fakt ishte rënia e numrit të qeseve”, tha Veliaj.