Zgjedhja e kreut të Policisë, hapet konkursi për gradën. Ja gjithë detajet

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të caktuar në detyrë, Rebani Jaupi, kanë nisur aplikimet për të fituar gradën “Drejtues i Parë”, në mënyrë që t’i hapet rrugë zgjedhjes së kreut të Policisë së Shtetit.

Në urdhër specifikohet se janë vetëm 5 vende të lira për gradën e lartë të Policisë dhe konkursi do të zhvillohet në Akademinë e Sigurisë. Nisur nga këto rrethana, mesa duket, kreu i Policisë së Shtetit do të zgjidhet mes atyre që nuk e kanë momentalisht gradën “Drejtues i Parë”, por mund ta fitojnë në konkursin që do të zhvillohet brenda muajit janar.

Ndonëse edhe drejtori i komanduar, Rebai Jaupi, i plotëson të gjitha kriteret për t’u emëruar përfundimisht në këtë detyrë, duket se hapja e konkursit bëhet për të zgjedhur një tjetër oficer të lartë Policie si pasues të Haki Çakos, i cili mbante gradën “Drejtues Madhor”. Në urdhrin e firmosur nga Rebani Japupi, specifikohet se janë 5 vende të lira pune, që korrespondojnë me gradën “Drejtues i Parë”, një ndër të cilët është posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

URDHRI DHE KONKURSI

Zhvillimi i konkursit për gradën e lartë policore pritet të bëhet së shpejti në Akademinë e Sigurisë. Urdhri i Rebani Jaupit parashikon që aplikantët të dorëzojnë dokumentacionin deri më 16 janar dhe më pas, Akademia e Sigurisë të zhvillojë procesin e konkurrimit, që do të thotë se gradat do të jepen në një afat kohor brenda 2 javësh.

“Me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike, korresponduese të gradës “Drejtues i Parë” dhe përzgjedhjen me barazi, paanshmëri e transparencë të kandidatëve më të mirë për marrjen e gradës, urdhëroj: Hapjen e procesit të konkurrimit për fitimin e gradës policore ‘Drejtues i Parë’; Faza e aplikimeve për konkurrim të fillojë më datë 11 janar 2018 dhe të përfundojë më 16 janar 2018;

Numri i funksioneve të lira organike të shpallura për konkurrim, korresponduese të gradës policore ‘Drejtues i Parë’, është 5; Punonjësi i Policisë që plotëson kritere ka të drejtë të aplikojë për të marrë pjesë në konkurrim për fitimin e gradës pasardhëse ‘Drejtues i Parë’”, thuhet në urdhrin e firmosur nga drejtori i komanduar i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi.

KANDIDATURAT

Përveç Rebani Jaupit, tashmë i komanduar si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, së fundmi po lakohen si kandidatë potencialë për postin më të lartë policor edhe 6 emra të tjerë. Një prej tyre është Agron Sojati, me një karrierë të gjatë si drejtues në sektorë të rëndësishme në Policisë, aktualisht këshilltar për sigurinë në Kryeministri.

Posti më i rëndësishëm që Sojati ka mbajtur së fundmi në Polici, ka qenë ai i drejtorit të Antiterrorit dhe si i tillë, ai ka marrë pjesë në konferenca mjaft të rëndë- sishme rajonale e më gjerë, për luftën kundër terrorizmit.

Gjithashtu, edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Gjovalin Loka, është një prej emrave të lakuar që plotëson kushtet për të qenë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër, kandidat për këtë post është edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu, që shihet edhe si i favorizuar në këtë “garë”.

PANORAMA