Zgjedhjet presidenciale në Çeki/ Favorit kandidati pro-rus…

Aktualisht në Çeki po zhvillohen zgjedhjet presidenciale.

Tetë kandidatë ‘shpresojnë’ të largojnë nga detyra udhëheqësin aktual në qendër të shumë polemikave. Presidenti Milos Zeman, 73 vjeç, po kërkon një mandat të ri pesë-vjeçar për postin kryesisht ceremonial dhe është favorit për të fituar në raundin e parë të votimit.

Dy prurje të reja politike, ish-presidenti i Akademisë së Shkencave Jiri Drahos dhe autori i njohur i këngëve Michal Horacek konsiderohen si rivalët e tij më të fortë.

Ndërkohë, të tjerë që kanë një shans më të madh drejt një balotazhi janë Mirek Toolanek, një udhëheqës që njihet për qasjen e tij të drejtpërdrejtë dhe që ka shërbyer si kryeministër nga viti 2006 deri në 2009 si dhe ish-diplomati Pavel Fischer.

Nëse asnjë kandidat nuk arrin të marrë shumicën, dy kandidatët që kanë siguruar më shumë vota do të përballen me njëri-tjetrin në një balotazh pas dy javësh.

Kujtojmë se votimet e së premtes u tronditën nga një protestë e aktivistëve të organizatës “Femen”, pasi presidenti aktual Zeman hyri në një qendër votimi në Pragë. Atij iu afrua një nga aktivistet gra e zhveshur deri në mes, e cila bërtiti “Zeman, zëri i Putinit!”

Rojet e tij ndërhynë duke larguar presidentin. Pak minuta më vonë Milos Zeman u kthye sërisht për të votuar dhe tha se ndihej i nderuar që ishte sulmuar nga një aktiviste e “Femen-it”.

Milos Zeman u zgjodh në vitit 2013 që përkon me zgjedhjen për herë të parë të Presidentit me votë popullore, një fitore që e riktheu në pushtet ish-kryeministrin e majtë.

Gjatë qëndrimit në detyrë, ai u bë i njohur për retorikën e fortë anti-migrantëve që i garantoi atij mbështetjen e ekstremistëve të djathtë populistë. Ai njihet për përçarjen që ka krijuar në vend me qëndrimin e tij pro-rus dhe mbështetjen e një politike për lidhje më të ngushta me Kinën.

Zeman ishte një nga udhëheqësit e paktë europianë që i dha mbështetje Donald Trump-it për Shtëpinë e Bardhë. Megjithëse Milos Zeman vendosi flamurin e Bashkimit Evropian në kështjellën e Pragës, më vonë ai përdori çdo mundësi për të sulmuar bllokun prej 28-vendesh.