Atentatin ndaj Mbretit Zog e pagoi Beogradi

Në fotot e policisë austriake: Mbreti Zog, poshtë tij Llesh Topollaj adjutanti që humbi jetën, duke e mbuluar mbretin me trup.  Makina e shpuar nga plumbat dhe policët që mbledhin gëzhojat.

Detajet policore të sulmit me armë, kur Çami dhe Gjeloshi shtinë ndaj Mbretit në shkallët e Operas së Vienës më 22 shkurt 1931, 87 vjet më parë. 

FAKTOR.AL

Gjyqi ndaj atentatorëve të mbretit Zog vazhdoi 9 muaj rresht gjatë vitit 1931. Aziz Çami dhe Ndok Gjeloshi e kryen atentatin me armë zjarri kundër Zogut në Vienë më 22 shkurt 1931. Mbreti shpëtoi, Eqrem Libohova u plagos në pulpë të këmbës, por majori Llesh Topallaj humbi jetën.
Sipas policisë austriake, kapiteni Aziz Çami, lindur më 1893 në Filat të Greqisë, ishte anëtar i partisë së Fan Nolit. Ndërsa atentatori Ndok Gjeloshi, oficer i xhandarmarisë, lindur në Shkodër më 1893, martuar me Margarita Petroviç, anëtar i partisë së shqiptarëve të arratisur “Bashkimi Kombëtar”. Po sipas policisë austriake, Qazim Mulleti shkoi më pas në vendngjarje dhe iu gjet në xhep një revolver i mbushur, por nuk u padit.
Drejtori i policisë së Vienës deklaroi në gjyq se në qytet jetonin rreth 30 familje emigrantësh shqiptarë, si dhe 200-300 studentë, një numër i vogël me bursa nga qeveria shqiptare. “Atentati shtrëngoi autoritetet austriake të largojnë krejt koloninë e shqiptarëve të emigruar në Austri, pasi të gjithë nuk kishin asnjë punë të rregullt për fitim jetese” – tha ai.
Trupi i pajetë i Llesh Topallajt erdhi në shtrat topi pas nëntë ditësh, dhe iu bënë nderime të shumta dhe fjalime trimërie në Durrës dhe në Tiranë. Ndërsa gjyqi i atentatorëve zgjati nga shkurti deri më 3 tetor, derisa e dënoi Ndok Gjeloshin me 7 vjet burg për vrasje, dhe Aziz Çamin 3 vjet dhe burg të rëndë për nxitje në vrasje. Sipas të dhënave të tjera, këto dënime u përgjysmuan; i pari në 3 vjet e gjysmë dhe i dyti në 2 vjet e pak muaj.
Përshkrime më të detajuara dha vite më vonë Sejfi Vllamasi, pjesëmarrës në atë atentat. Sipas tij, në janar 1931 Zogu qëndroi i këputur në hotelin “Imperial”, më luksozi i Vienës, ku qëndronin njerëzit më të mëdhenj të botës. Vizitat e mjekëve i gjetën vetëm një dobësim ekstrem prej mundimit dhe lodhjes së punës. Adjutanti i tij Zef Serreqi i kërkoi drejtorisë së përgjithshme të policisë të largonte gjithë emigrantët shqiptarë gjatë kohës së qëndrimit të tij.
Kërkesa u refuzua, por dr.Weiser, shef i zyrës politike, i tregoi Angjelin Sumës mbi kërkesën e Zef Serreqit, dhe i mori fjalën e nderit, që emigrantët e “Bashkimit Kombëtar” nuk do ta sulmonin Zogun. Ai ia dha besën, megjithatë policia e rrethoi Zogun me dedektivë, ndaloi shqiptarët të kalonin nga hoteli “Imperial” dhe të mos mbanin armë, përndryshe do të dëboheshin nga Viena.
Duke shkelur besën ndaj policisë vendase, antarët e komitetit “Bashkimi i Kombit” Kol Tromara, Angjelin Suma dhe Sejfi Vllamasi vendosën për atentat. Këshilltari i legatës jugosllave, Cincar Markoviç, u tha këtyre se “do të jem i lumtur po të jem unë i pari që do të lajmëroj Beogradin për vrasjen e Zogut”. Por qeveria jugosllave nga ana tjetër e lajmëroi Tiranën se emigrantët e Vienës po përgatitnin një atentat kundër Zogut.
Zogu rrinte mbyllur ditën dhe i vetmi vend ku mund të takohej ishin opera, teatrot e argëtimit të natës, edhe atëherë rrethohej me dedektivë gjithë kohës. Vullnetarë për atentatin kapiteni Aziz Çami dhe togeri Ndok Gjeloshi. Qazim Mulleti do të mbështeste Aziz Çamin. Xhemal Bushati dërgoi nga Sarajeva vëllain e tij Ramiz Bushatin, për mbështetje, por ai nuk u përzie. Për të kryer atentatin komiteti harxhoi 70 mijë lireta, që i merrte subvension për të botuar gazetën “Bashkimi”.
Mbrëmjen e 22 shkurtit 1931 Opera e Vienës luante veprën Aida të Verdit. Një muzikë e bukur për të vdekur mbretin. Kol Tromara, Sejfi Vllamasi, Aziz Çami dhe një grek me origjinë shqiptare qëndruan në kafen e operas, 10 metra larg nga porta kryesore. Në dhomën ngjitur ishte Hasan Prishtina dhe Fuat Toptani, por ky nuk dinte për atentatin. Afër tyre qëndronte Qazim Mulleti. Ndok Gjeloshi priste në një kafe pranë drejtorisë së policisë. E shoqja e Hasan Prishtinës, e Ndok Gjeloshit dhe e Sejfiut kontrolluan Burg Theatre.
Angjelin Suma telefonoi në orën 9 Sejfiun me Azizin në njërën kafe dhe Ndokun në tjetrën se e pa Zogun në Opera. Sejfiu i tha Azizit se erdhi çasti për të vepruar, por shprehu merakun që, nëse policia e kapte, e shoqja me të birin mbeteshin rrugëve. “Por mos kujto se kam frikë” – tha dhe mori armën. Qazim Mulleti e shtyu më tej duke i thënë: “Të kam dhënë fjalën dhe jam me ty” dhe dolën.
Azizi dhe Qazimi pritën tek Ring Bulevard. Ndoku priti te dera e operas. Ai gabimisht qëlloi Llesh Topallajn prapa kokës dhe i ngeci arma. Automobili i mbretit u rrethua nga dedektivët, por Azizi e çau rrethimin e tyre dhe qëlloi rretheqark makinës 7 herë me nagant. Zogu u shtri në dysheme të automjetit dhe nuk pësoi gjë. Eqrem Libohova u plagos në këmbë dhe shtiu për mbrojtje disa herë. Ky çast e lidhi atë përjetë me Zogun.
Dy atentatorët u çarmatosën, por Qazimi nuk e ndoqi Azizin. U largua, fshehu armën dhe erdhi në kafen e Operas, ku të tjerët luanin letra. Në kafe erdhi edhe Naxhia, e shoqja e Sejfi Vllamasit. Në mes të panikut të rrugës austriakët thirrnin “Gauner albanez – Banditë shqiptarë!”.
Të gjithë emigrantët e Vienës, përveç Hasan Prishtinës, u arrestuan. Angjelin Suma dhe Qazim Mulleti u dërguan në burgun e madh, ndërsa Sejfi Vllamasi dhe të tjerët në atë të policisë. Italia i bëri presione të mëdha qeverisë austriake që të dënoheshin të gjithë. Qeveria e Vienës ngarkoi hetuesin më të aftë, dr.Frida, dhe si përkthyes zotin Papaport, ish shef i seksionit për çështje ballkanike në ministrinë e jashtëme, i cili dinte shqipen shumë mirë.
Rexhep Mitrovica dhe e shoqja, Sejfi Vllamasi, e shoqja dhe Menduh Angoni, kunati i tij student në fakultetin e mjekësisë në Vienë u zbuluan nga një letër ku përshkruanin gjurmimet. Më 28 prill 1931 hetuesia i liroi dhe më korrik liroi Angjelin Sumën edhe Qazim Mulletin. Të gjithë shqiptarët e Vienës u dëbuan pa kthim nga Austria, ndërsa ata të Grazit mbetën të palëvizur.
Gjyqi nuk u bë në Vienë. Austriakët e zhvendosën gjyqin në një qytet të vogël fetar. Sipas kujtimeve të Vllamasit, Ndok Gjeloshi u dënua me 3 vjet e gjysmë burgim dhe Aziz Çami 2 vjet e gjysmë. Sejfiu me të shoqen dhe kunatin, si dhe Rexhep Mitrovica me të shoqen ikën në Paris, ku gjetën Ali Këlcyrën. Pas pak atje shkoi edhe Kol Tromara nga Praga dhe Angjelin Suma i dëbuar nga Viena, Hasan Prishtina, Qazim Mulleti, Nikoll Ivanaj, Frano Karma dhe Aziz Çami pas burgut.
Prej Grazit në Paris shkoi edhe Qazim Koculi. Grupi u mblodh përsëri gati për ngatërresa të tjera. Në Paris pas tyre shkoi edhe Cincar Markoviçi, këshilltar i legatës jugosllave. “Por me dështimin e atentatit, qeveria e Beogradit na i pakësoi subvensionet” – dëshmoi Vllamasi.