Bushati-ministrit holandez: Reforma në drejtësi ka nisur të japë rezultatet e para

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka takuar ministrin holandez për Drejtësinë dhe Çështjet e Sigurisë Ferdinand Grapperhaus, ku diskutuan mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë, bashkëpunimin në përballjen me sfidat e sigurisë dhe me shtetin e së drejtës, si dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Ministri Bushati u ndal veçanërisht tek reforma në drejtësi, e cila, sipas tij, ka nisur te japë rezultatet e para dhe është pararojë edhe për vendet e rajonit.

Grapperhaus u shpreh se Holanda është e hapur për të bashkëpunuar me Shqipërinë dhe se vlerëson punën e bërë kohët e fundit, kryesisht në fushën e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Ministrat diskutuan dhe për situatën në rajon. Ministri Bushati theksoi se Shqipëria është faktor stabiliteti dhe sigurie.

Ministri Bushati dhe ministri Grapperhaus morën pjesë në konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Çështjeve të Sigurisë, për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shtetin ligjor për ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta, me qëllim krijimin e një të ardhmeje më të mirë dhe të sigurt për qytetarët tanë.