Champions / Juve shpërdoron me Tottenham, “poker” i Cityt (Video)

Janë zhvilluar dy ndeshjet e para me eliminim direkt në Champions League, ku natyrisht nuk ka munguar spektakli, sidomos në sfidën mes Juventus dhe Tottenham. Kampionët e Italisë dhe finalistët e edicionit të kaluar, nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 2-2. Në ndeshjen tjetër, Manchester City ka mposhtur thellë Basel në Zvicër me rezultatin 4-0.

Juventus e ka nisur mirë, teksa ka shënuar 2 gola në harkun e 9 minuta kundër Tottenham. Pjaniç shërben mirë në minutën e dytë dhe Higuain që nuk fal. Pas 7 minutash vjen goli i dytë vendasve dhe është sërish Higuain, kësaj here me penallti. Megjithatë, Harry Kane ndëshkon Juven në 35’ dhe gjithçka mbetet e hapur.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, Costa merr penallti, por Higuain kësaj radhe godet traversën. Në pjesën e dytë, në momentet më të mira të Juventus, është Eriksen që barazon në minutën e 72-të. Në fund ndeshja bëhet e hapur, me vendasit që kanë disa mundësi të mira shënimi, por mbyllet 2-2.

Në sfidën tjetër, Basel-Manchester City, në minutën e 14-të, ka ardhur edhe goli i parë i anglezëve, pasi goditja me kokë e Gundogan, këtë herë ndalet në rrjetën e zvicerianëve. Vetëm 4 minuta më vonë, do të jetë Bernardo Silva ai që do të dyfishonte shifrat e këtij takimi.

Furia e Sitit është e pandalshme, ndërsa Aguero ka gjetur rrjetën me një goditje të fuqishme nga distanca. Në fraksionin e dytë është sërisg Gundogan që i jep goditjen përfundimtare ekipit vendas të Basel në minutën e 53-të. Më pas miqtë kursejnë energji, me ndeshje që përfundon 0-4. Ndeshjet e kthimit do të luhen pas dy javësh.