Debate në UT/ Koni: Situatë bllokuese e “ndërrim bravash”. Rama: Ku hyn qeveria te brava?

Gjatë një takimi me Senatin e UT, Kryeministri Edi Rama ka dëgjuar sot shqetësimet e ngritura nga Rektori i Universitetit të Tiranës. Ata ngritën shqetësimin për situatën në të cilën ndodhen si pasojë e zbatimit të procesit të autonomisë.  Sipas tyre, deri më tani kanë hasur bllokim në punën e tyre, nga disa persona që merren me administrimin.

Që në nisje të fjalës së tij, Rektori Mynyr Koni bëri një sqarim lidhur me deklaratat e kryeministrit Rama, duke saktësuar se ai në reagimin e tij për vonesën e pagave të pedagogëve, nuk e ka përmendur “bukën e gojës”.

“Urdhëro, merre fjalën e trego çfarë keni me qeverinë për bukën e gojës”, tha kryeministri.

Por Rektori Koni u shpreh: “Nuk e kam përmendur unë ‘bukën e gojës’ në reagimin tim. Dje kam mësuar që e kishte shprehur dikush tjetër. Unë nuk vuaj për bukën e gojës”.

Mynyr Koni: Jam ndeshur në një situatë bllokuese nga ana e administratorit. Është krijuar një situatë e rëndë në lidhje me situatën e punonjësve të Rektoratit të UT-së, gjë për të cilën kam njoftuar edhe ministren e Arsimit. Javën e ardhshme ne fillojmë promovimin e programit të maturantëve, por më ka ardhur përgjigjja, ‘s’kam mundësi, realizoje me mundësitë e tua’. Po kështu kemi ngritur edhe çështjen e punonjësve të Rektoratit, për këtë i jam drejtuar edhe bordit, por nuk kam marrë zgjidhjen e duhur.

Kryeministri Rama: Tani, ndërrim bravash unë kisha dëgjuar në federatën e mundjes paska ndodh edhe në universitet… kush e ka zgjedh bordin? Senati. Varet nga senati se keni shumicën, se po të ishte ndryshe, si në universitetet e tjera ku nuk ka probleme të tilla, atëherë do thoshim pyesim shumicën si është puna. Shumicën e keni ju.

Rektori Koni: Senati ka autonomi…

Kryeministri Rama: Një minutë, e kuptoj janë autonomë por s’janë shtet më vete. Senati, ka të drejtën t’i thërrasë e t’i dëgjojë. Parlamenti ka të drejtën të thërrasë e të dëgjojë këdo.

Rektori Koni: Po senati është i ndarë.

Kryeministri Rama: Këto janë çështje të demokracisë i dashur profesor, shyqyr që është i ndarë senati. Ku hyn qeveria te brava? Këto janë punë senati…

Për këtë situatë ka folur edhe Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha.
Artan Hoxha: Unë nuk futem në grupin që është shqetësuar për pagat e stafit akademik, dhe unë e mora përgjigjen për situatën e krijuar për një mungesë komunikimi në kohë, dhe shtyrjet e afatit të pagesës, gjë që në institucionet e tjera, është zgjidhur me fondet e brendshme.

Të flasim këtu para kryeministrit dhe ministres për brava më duket sikur nuk është në nivelin tonë. Të zbatosh autonominë është e vështirë. Ligji për Arsimin e Lartë ka sjellë një reformë të madhe në këtë sistem. Të themi që institucionet e Arsimit të Lartë nuk janë në interesat jashtë universitetit, nuk është e saktë. Universiteti i Tiranës është pasuri kombëtare. Është e vërtetë ajo që tha rektori se ne që nga fillimi i administrimit po hasim pengesa. Ka forca që na pengojnë të veprojmë. Kemi patur shqetësim të madh, kemi debatuar në vështirësi. Ne jemi vënë përballë situatave të bllokimit të institucionit. Ju nuk do zgjidhni konfliktet tuaja të brendshme.

Kryeministri Rama: Unë e di që po erdhi puna në një pikë fundore, ne na jep ligji të drejtën të veprojmë. Por ajo është pika fundore, dhe atëherë pason ndëshkimi. Besoj që kjo të zgjidhet.