Diabeti/ Shenjat! Si ta zbuloni sa më shpejt këtë sëmundje vrastare të heshtur

Prof. Florian Toti, përgjatë një interviste ekskluzive për Konica.al, flet për një sëmundje e cila konsiderohet ‘e heshtur’ dhe ‘vrastare’.

Bëhet fjalë për diabetin e sheqerit. Në mënyrë që ju ta zbuloni në kohë sëmundjen në fjalë, Prof. Florian Toti zbulon për ju simptomat e para…

“Diabetes Mellitus, apo siç njihet në përgjithësi në vendin tonë, Sëmundja e Sheqerit, është një sëmundje që disa vite më parë epidemiologët e parashikonin që do të merrte karakter epidemie dhe sot vërtet ajo është bërë një epidemi, madje edhe në rritje.

Ø Në botë çdo 10 sekonda diagnostikohet një individ diabetic;

Ø Çdo vit numri i diabetikëve rritet së paku me 3 milion raste të reja;

Ø Sot në botë janë më shumë se 365 milion diabetikë;

Ø Fatkeqësisht 4.6 milion vdekje në vit ndodhin tek diabetikët.

Edhe në vendin tonë kjo sëmundje po përhapet sa vjen e më tepër. Duhet të kihet parasysh se kjo sëmundje në vendin tonë është e diagnostikuar dhe e njohur vetëm në gjysmën e rasteve. Kjo lloj epidemie nuk ka lënë pa prekur moshën fëminore kjo për faktin se edhe obeziteti dhe diabeti tip 2, madje janë shpeshtuar edhe në moshën e fëmijërisë, një dukuri kjo e panjohur 20-30 vite më parë.

Që në fillim duhet të theksohet se edukimi (dija) ndryshe nga medikamentet që mjekojnë të sotmen, ajo mjekon jo vetëm të sotmen, por veçanërisht të ardhmen.

Diabetes Mellitus (D.M.) është një sëmundje e rrezikshme që karakterizohet nga hiperglicemia kronike me çrregullime të metabolizmit të sheqernave, proteinave dhe yndyrnave, pasojë e defektit në prodhimin, veprimin e insulinës, apo të dyja së bashku. Kjo sëmundje shoqërohet nga ndërlikime specifike mikrovaskulare dhe makrovaskulare (pasojë e aterosklerosës së përshpejtuar).

Sëmundja e sheqerit nuk kursen asnjë moshë, që nga të sapolindurit dhe deri në moshat e vjetra, por më e shpeshtë është mbi 40 vjeç, kap të dyja gjinitë thuajse në mënyrë të barabartë.

Diabeti Melitus klasifikohet në shumë tipe dhe nëntipe, por për qëllime praktike do flitet përː

Ø Diabetin tip 1;

Ø Diabetin tip 2;

Ø Diabetin gestacional;

Ø Prediabetin.

Diabeti tip 1 është kryesisht diabet i moshave të reja, prandaj më parë quhej diabet juvenil, apo edhe insulino-vartës. Themi kryesisht, sepse ky tip diabeti mund të shfaqet edhe tek të moshuarit. Në bazë të tij qëndron mungesa e prodhimit të insulinës nga shkatërrimi i qelizave β të Langerhansit që gjenden në formë ishujsh në Pankreas. Ky shkatërrim ka ardhur për shkaqe imuno-genetike (faktor i brëndshëm) dhe të infeksioneve virale (shkaqe të jashtme, mjedisore).

Mungesa e prodhimit të Insulinës nga gjëndra e pankreasit ka për pasojë mos futjen e glukozës (sheqeri më i thjeshtë, që është edhe burimi kryesor energjitik) në qelizat e ndryshme të trupit të njeriut. Pasoja do jetë e dyfishtë, nga njëra anë glukoza do rritet në gjak mbi vlerat normale dhe nga ana tjetër organizmit do i mungojë karburanti kryesor, burimi energjitik i tij.

Ky tip diabeti përbën numrin më të vogël, në kuadrin e diabetit në përgjithësi, 5-10 %. Shkalla e shkatërrimit të qelizave β të pankreasit nuk është e njëjtë. Kjo është edhe arsyeja se pse disa fëmijë paraqiten për herë të parë për ndihmë mjekësore në gjendje shumë të rëndë, me ketoacidozë diabetike.

Mund të ndodhë që hiperglicema të jetë jo shumë e lartë, por që gradualisht ajo përkeqësohet dhe mund të çojë në ketoacidozë (dukuri kjo që ndodh më shpesh në moshat më të mëdha). Duke qënë sëmundje me natyrë imuno-gjenetike.

Diabeti tip 1 mund të shoqërohet edhe me sëmundje të tjera të kësaj natyre, si sëmundja autoimune të tiroides, Addison, vitiligo, hepatit autoimun, anemi etj.

Në grupin e diabetit tip 1 përfshihet edhe diabeti idiopatik, i cili ka mungesë të prodhimit të insulinës dhe tendencë për ketoacidozë, por nuk i dihet etiologjia. Mjekimi i diabetit tip 1 është insulina, që konsiderohet edhe mjekim për të mbijetuar, pavarësisht se nevojat për atë ndryshojnë herë pas here.

Diabeti tip 2 prek kryesisht moshat e mëdha (të rriturit) dhe është më i shpeshtë, ai përbën 80-90 % të të gjithë diabetikëve. Edhe këtu theksojmë se sot diabetin tip 2 e zbulojmë edhe në moshat e reja dhe tek fëmijët.

Në këtë tip diabeti mund të mbizotërojë mos veprimi i insulinës nga pankreasi, pasojë e insulinorezistencës, se sa mosprodhimi i saj nga pankreasi. Në raste të tjera ndodh dukuria tjetër e mbizotërimit të mosprodhimit të insulinës ndaj insulino-rezistencës. Si rregull këta diabetikë janë të dhjamosur dhe nuk bëjnë si personat me diabet tip 1 keto-acidozë, pasi atyre nuk ju mungon plotësisht insulina.

Insulina e tyre, qoftë edhe e pakët nuk vepron në indet përkatëse për shkak të sindromit metabolik, apo siç quhet ndryshe sindromi insulino-rezistencës. Vërtet tek këta diabetikë ka rezistencë ndaj veprimit të insulinës në inde, por nga ana tjetër edhe vet pankreasi nuk është në gjëndje të kompensojë këtë mosveprim nëpërmjet shtimit të prodhimit të saj. Kështu tek këta diabetikë janë të kombinuara të dy faktorët, pavarësisht se kush mbizotëron mosveprimi apo mosprodhimi.

Nisur nga fakti që tek diabeti tip 2 nuk mungon Insulina në qarkullimin e gjakut, nga njëra anë ata nuk bëjnë acido-ketozë dhe nga ana tjetër niveli i dlukozës në gjak apo glicemia mund të mos jetë shumë e lartë. Kjo dukuri shpjegon faktin që këta diabetikë mund të mos kenë ankesa dhe të diagnostikohen me vonesë, madje me shumë vonesë, atëherë kur mund të jenë zhvilluar ndërlikimet e vona të diabetit.

Duke u nisur nga këto fakte tek këta diabetikë mund të ketë hiperglicemi sa të mos përmbushen kriteret e diabetit, por ato të tolerancës së dëmtuar të glukozës dhe mjafton mjekimi me terapi ushqimore hypokalorike. Tek të tjerë persona mundet që sasia e insulinës të jetë e pakët dhe këta diabetikë kanë nevojë për mjekim me Insulinë me injeksione për kontrollin e glicemisë.

Diabeti gestacional quhet kur diabeti zbulohet gjatë kohës së shtatëzanisë, por që nga pikëpamja klinike nuk është diabet i shfaqur. Ky tip diabeti gjendet në rreth 7 % të të gjitha shtatëzënive.

Ecuria natyrore e këtij diabeti është e ndryshme. Pas lindjes këto gra mund të mbesin diabetike, diabeti mund të zhduket, por mundet të rishfaqet përsëri pas disa vitesh. Diabeti Gestacional (DG) quhet rritja e glukozës në plazëm mbi vlerat normale gjatë shtatëzanisë (qofshin edhe të nivelit të tolerancës së dëmtuar).

Është një çrregullim metabolik që nuk vlerësohet sa duhet si nga mjeku endokrinolog, por veçanërisht nga personeli mjekësor i obsetrikës. Ky çrregullim që haset thuajse në 7% të të gjitha grave shtatzëna, është me pasoja si për nënën edhe për beben, prandaj duhet kërkuar dhe zbuluar në çdo shtatëzani.

Nëse një femër nuk ka bërë matjen e glicemisë para shtatzënisë, duhet që sapo të kuptojë që është shtatzanë dhe para javës së 20-të të bëjë matjen e glicemisë. D.G. duhet depistuar sa herë që glicemia rezulton mbi 85 mg% duke ju bërë këtyre grave provën e ngarkesës me 75 gr. Glukozë.

Prediabeti – Komiteti i ekspertëve të OBSH për diagnozën dhe klasifikimin e Diabetit Melitus, i mbledhur në vitin 1999 dhe përsëri në vitin 2003, raportuan për një grup të veçantë, të ndërmjetëm, që nuk klasifikohet si diabetikë, por nga ana tjetër nuk klasifikohen as edhe si individë normal.

Ky grup individësh paraqiste një çrregullim në metabolizmin e sheqernave që karakterizohej nga toleranca e dëmtuar e glukozës esëll dhe pas ngrënies dhe që sot konsiderohet prediabet.

Në mënyrë figurative prediabetikët konsiderohen si kandidatë për diabet, por diagnostikimi i hershëm i tyre ka rëndësi shumë të madhe në parandalimin e ndërlikimeve që ai shkakton, ashtu si edhe diabeti. Në kuptimin e kritereve të diagnostikimit të diabetit, këta persona nuk përfshihen në diabet, por fakti qe edhe këta bëjnë dëmtime më të shpeshta në enët e gjakut, apo nerva, bën që ata trajtohen me të njëjtin seriozitet.

Klasifikimi në tipet 1, apo 2 të diabetit, jo gjithmonë është i thjeshtë, qoftë në adultët, apo dhe në ata me moshë të re. Ka një formë diabeti, p.sh. që fillon si diabet i tipit 2, në mosha të rritura, por që në të vërtet është i natyrës imuno-genetike, pra i përket diabetit tip 1 në moshat e mëdha.

Këtë tip diabeti e quajnë diabeti latent autoimun tek të rriturit (LADA) ose thjesht diabet 1.5. Po kjo vështirësi dianostike ndodh edhe në rastin e diabetit tip 2 tek fëmijët, ku si rregull gjendet diabeti tip 1.

Në të gjitha ato raste kur diagnoza fillestare nuk është e qartë këshillohet matja e C-peptidit, që pasqyron në mënyrë të tërthortë nivelin sekretues të insulines nga Pankreasi. Këshillohet gjithashtu matja e anti-trupave që kanë shkatërruar qelizat β si ndaj acidit glutamik dekarboksilazë (anti-GAD).

Sa herë që përmendet sëmundja e sheqerit, mendja të shkon tek gjendra e Pankreasit, që është një nga gjendrat e trupit të njeriut që prodhon një lëndë (hormon), që quhet Insulinë. Ky hormon pas shumë përpjekjesh u arrit që të izolohet dhe madje të përdoret në mjekimin e diabetit 90 vjet më parë.

Roli i insulinës në organizëm është që të ndihmojë në futjen e sheqerit (glukozës) nga qarkullimi i gjakut, brenda në qelizë. Në qelizë glukoza digjet dhe çliron energji, që është “karburanti” për të gjithë organizmin tonë.

Ashtu si makinat që nuk mund të funksionojnë pa karburant, edhe organizmi ynë nuk mund të funksionojë pa energjinë e çliruar nga djegia e glukozës. Si në rastin e mungesës së prodhimit të insulinës, ashtu edhe mosveprimit të saj në inde, pasoja është mosfutja e mosdjegia e glukozës në qeliza dhe pasoja është rritja e nivelit të saj në gjak mbi vlerat normale.

Të gjitha shenjat, pasojat, si afat-shkurtra dhe afat-gjata që kjo sëmundje shkakton, janë rezultat i kësaj glicemie të rritur në gjak (i hiperglicemisë) qoftë në nënyrë të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë.

Si vendoset diagnoza e kësaj sëmundje?

Qindra vjet më parë diagnoza e diabetit vendosej duke shijuar urinën, pasi urina e diabetikëve për shkak të sasisë së madhe të glukozës në të ishte e ëmbël!

Prej dhjetra vjetësh diagnoza e diabetit bazohet në matjen e sheqerit në gjak esëll dhe 2 orë pas ngrënies, apo edhe provës së tolerancës së sheqernave (kurbës së glicemisë) në plazëm. Në vitin 2012, veç matjeve të glukozës në plazëm, është pranuar si mjet diagnostik edhe matja e Hemoglobinës së Glukozuar (HbA1c).

Kur flitet për diagnostikimin e D.M. duhen qartësuar dhe duhen ditur që në fillim disa elementë si për shembull:

  • Glicemi esëll quhet matja e glukozës në plazëm të paktën 8 orë pa ngrënë, pa futur gjë në gojë;
  • Glicemi 2 orë pas ushqyerjes, dy orët llogariten nga momenti i marrjes së kafshatës së parë;
  • Glicemia e rastit quhet kur ajo matet në çdo moment gjatë 24 orëve, pavarësisht nga koha e ngrënies;
  • Niveli më i lartë i glicemisë së rastit është 1 orë pas ngrënies dhe më e ulta esëll, ose para ngrënieve.
  • Në rastet kur matet glicemia nëpërmjet aparateve (glukometrave) duke shfrytëzuar gjakun pas çpimit të gishtit, ky gjak është i përzier (arterial dhe venoz). Vlerat e glicemisë nëpërmjet këtyre matjeve janë rreth 10 mg% më të ulta në krahasim me vlerat e matura në plazëm (këto të fundit janë më të sakta). Nga ana tjetër aparati matës i glicemisë ka një luhatje pasaktësie nga 15% deri 25%. Sidoqoftë matjet e glicemisë nëpërmjet glukometrave janë një mjet i shkëlqyer dhe i pazëvendësueshëm, kur bëhet fjalë për vetkontrollin, apo zbulimin e hershëm të D.M (për qëllime depistimi).
  • Kur bëhet fjalë për vendosjen e saktë të diagnozës, rezultati i glicemisë nëpërmjet glukometrit duhet verifikuar edhe nëpërmjet glicemisë në plazëm të matur në laborator.

Glicemitë esëll konsiderohen në vlera normale nga 60 deri 100 mg/dl, ndërsa 2 orë pas ngrënies më pak se 140 mg/dl, gjithmonë duke ju referuar vlerave në gjakun plazmatik. Diagnoza e D.M. vendoset atëhere kur vlerat e glicemisë esëll, në mënyrë të përsëritur janë mbi 126 mg/dl ndërsa 2 orë pas ngënies, apo glicemitë e rastit janë mbi 200 mg/dl. Duke analizuar vlerat që i përkasin të qënit normal dhe të qënit diabetik vëmë re se ndërmjet tyre ka vlera glicemie që nuk klasifikohen, as si diabetike, por as edhe si normale.

Konkluzion:

Nëse një person ankon për shenjat e zakonshme të D.M., si pirje uji sasi të madhe, të shoqëruar me urinim të shpeshtë dhe të bollshëm (ditën edhe natën), Oreks i shtuar i shoqëruar me pakësim të peshës trupore, dobësi trupore, turbullime të pamjes, infeksione të shpeshta etj. dhe glicemia e rastit me glukometër rezulton mbi 200 mg/% diagnoza e D.M. nuk diskutohet. Hemoglobina e glukozuar (HbA1c) konsiderohet normale nga 5.5-6.5 % dhe që nga viti 2009 konsiderohet më e rëndësishme se sa glicemia në drejtim të diagnostikimit.

Depistimi dhe zbulimi sa më i hershëm i Diabetit Melitus

D.M konsiderohet si sëmundje tinzare dhe madje vrastare e heshtur dhe si e tillë është me rëndësi të shumëanshme të zbulohet sa më herët që të jetë e mundur.

Që të realizohet një gjë e tillë këshillohet që çdo person, pavarësisht moshës, seksit, apo peshës së trupit të tyre, të bëjnë një matje të glicemisë. Nëse kjo glicemi esëll rezulton mbi 100 mg%, ndërsa nëse glicemia pas ngrënies, apo e rastit rezulton mbi 140, këshillohet të bëjnë provën e ngarkesës me glukozë. Nëse matja fillestare rezulton normale, mirë është që glicemia të përsëritet pas 3 vjetësh.

Cilët janë njerëzit më të rrezikuar për t’u bërë diabetikë?

Trashëgimia.

Sëmundja e sheqerit, qoftë tip 1, dhe veçanërisht tip 2, ka një bazë të rëndësishme gjenetike, që me pak fjalë është sëmundje kryesisht e trashëguar. Kjo do të thotë se çdo individ i prirur, i predispozuar për t’u prekur nga diabeti, ka trashëguar një defekt imunologjik, apo gjenetik (këto quhen faktorë të brëndshëm).

Për të kuptuar këtë dukuri le t’i referohemi të dhënave statistikore:

  • Në një prind me Diabet tip 1, mundësia që pasardhësit të bëjnë diabet është 4-6% ; të dy prindërit me Diabet tip 1 kjo mundësi rritet në 10-25%.
  • Në një prind me Diabet tip 2, mundësia që pasardhësit të bëjnë diabet është 14-16% ; të dy prindërit me Diabet tip 2 kjo mundësi rritet në 50%.
  • N.q.s një binjak nga e njëjta vezë, është me Diabet tip 2, mundësia që binjaku tjetër të bëjë diabet arrin deri në 90%. Këto të dhëna statistikore dëshmojnë se diabeti tip 2 e ka faktorin e brëndshëm, të trashgimisë, më të fuqishëm se Diabeti tip 1.
  • Tek këta persona mund edhe të mos shpërthejë diabeti, n.q.s nuk operojnë disa faktorë të tjerë, që quhen të jashtëm (mjedisorë). Ka shumë rëndësi që të njihen këta faktorë, për tu shmangur, apo të paktën për të minimizuar ndikimin e tyre dhe kur ka mundësi për t’i eleminuar ato.

Obeziteti

Dhjamërija ose obeziteti është ndër faktorët e jashtëm më të rrezikshëm në shpërthimin e diabetit në personat të prirur. Obeziteti është pasojë e kombinimit të faktorëve gjenetikë (të trashëgimisë) dhe faktorëve ambjentalë. Fëmijët e prindërve të dhjamosur kanë 10 fish mundësi të jenë të dhjamosur, në krahasim me fëmijët e prindërve jo të dhjamosur.

Obezitetin e përcaktojmë nëpërmjet matjes së indeksit të masës tupore (I.M.T) ndërsa anglisht (B.M.I) dhe matjes së diametrit të mesit me metër. I.M.T llogaritet nëpërmjet peshës dhe gjatësisë me formulën: I.M.T = Pesha (kg.)/ gjatësia (m) 2 për lehtësi në llogaritjen e saj ka tabela të gatshme.

Njerëzit me I.M.T. më të vogël se 18.5 konsiderohen nënpeshë; Nga 18.5 në 24.9 grupohen në të shëndetshëm; Nga 25 në 29.9 mbipeshë dhe mbi 30 të dhjamosur. Këta të fundit ndahen në nën grupe në vartësi të I.M.T. nga 35 në 34.9 grada e parë e obezitetit; nga 35 në 39.9 grada e dytë; mbi 40 grada, apo niveli i tretë i obezitetit.

Pavarësisht pranisë së faktorëve kompleksë që ndikojnë në nxitjen e obezitetit, përvetësimi i kalorazhit nga ngrënia më e tepërt se shpenzimi i këtij kalorazhi, është kyçi i obezitetit. Sa herë kur përmendet dhjamëria (obeziteti) nënkuptohet diabeti tip 2, por natyrisht duhet të dini se ato nuk janë e njëjta gjë.

Në mënyrë të përafërt 1/3 e njerëzve të dhjamosur nuk vuajnë gjatë jetës së tyre nga diabeti tip 2 nga ana tjetër 15 % e diabetikëve tip 2 nuk janë të dhjamosur, por me peshë normale. Të qënët e dhjamosur shton mundësinë tek këta persona për shumë probleme shëndetësore jo vetëm diabet, por edhe artrit, sëmundje zemre, hipertension, kancer, turbullime të gjumit etj.

Sindromi insulinorezistencës (sindromi metabolik, S.M.)

Duhet kuptuar si bashkimi i disa shënjave klinike të shkaktuara nga çrregullime në metabolizëm. Shumë sëmundje e kanë të përbashkët këtë sindromë metabolike dhe prandaj disa elementë të mjekimit të saj janë të njëjtë. Sindromën metabolike mund ta gjejmë te Diabeti tip 2, sëmundje të mëlçisë, të zemrës, hipertonisë etj. Në vitin 2001 u përcaktuan 5 tregues, apo kritere diagnostike, nëpërmjet të cilëve mbështetet diagnoza e kësaj sindrome:

1- Obeziteti i lokalizuar kryesisht në pjesën e barkut (në pjesën e mullës, të mesit). Kjo përcaktohet nëpërmjet matjes së rrethit të mesit, me një metër të thjeshtë: Tek femrat mbi 40 vjeç mbi 90 cm. ( 35 inch) dhe tek meshkujt mbi 102 cm ( mbi 40 inch).

2- Rritja e sheqerit esëll mbi 100-110 mg/%.

3- Hipertensioni arterial mbi shifrat 135/85 mm/Hg. (H.T.A.).

4- Hipertrigliceridemia, shtimi i një tipi yndyre në gjak ( pjesë përbërëse e Hiperlipidemisë, apo dislipidemisë).

5- Hiperlipidemia ku H.D.L. (quhet ndryshe kolesteroli i mirë) mbi 40 mg% për meshkujt dhe mbi 50 mg/% për femrat. Në qoftë se një individ, mashkull apo femër, në çdo lloj moshe, përmbush 3 nga keto 5 kritere, ai ose ajo vuan nga sindroma metabolike, apo rezistenca insulinike.

Shtatzënia mund të konsiderohet si faktor risku për shpërthimin e diabetit, pasi gjatë shtatëzanisë për arsye hormonale ndodh insulinorezistenca. Kjo insulinorezistencë bën që

pankreasi të përpiqet të prodhojë më shumë Insulinë, por n.q.s Pankreasi i një personi ka një defekt, ai lodhet dhe shteron. Pasoja do jetë rritja e sheqerit në gjak, kur dihet se sheqeri i rritur edhe lehtësisht, thuaj mbi 126 mg% në qarkullim ka ndikim “toksik” mbi qelizat beta të Pankreasit. Nga ana tjetër n.q.s tek një grua në 6-8 javë të para ka glicemi të larta, rreziku që fetusi të ketë anomali të lindura ëshë më i rritur se tek gratë e tjera pa diabet.

Klinika e diabetit

Që në fillim duhet të tërheqim vëmendjen se diabeti mund të shoqërohet me shënja klinike të bujshme dhe shqetësuese, por ka edhe shembuj që diabetiku të mos ketë as një ankesë, apo shenjë. Në dukuri e tillë shpjegon edhe faktin përse gjysma e diabetikëve jetojnë midis nesh, pa e ditur që kanë diabet.

Madje kur zbulohet diabeti tek këta persona, mund të zbulohen edhe ndërlikimet e vona të diabetit, gjë që dëshmon për ekzistencën prej vitesh të diabetit të padiagnostikuar. Si rregull ndërlikimet e vona të diabetit fillojnë pas 10-15 vjetësh pasi glicemia ka filluar të rritet, kuptohet se sa rëndësi ka zbulimi sa më i herët dhe depistimi i tij.

Mungesa e insulinës në organizëm, apo edhe mosveprimi i saj, shkaktojnë një problem të madh për personin në fjalë. Për të vënë në lëvizje organizmin, qelizat kanë nevojë për sheqer dhe është Insulina ajo që duhet ta futë sheqerin nga gjaku, në qelizë. Meqenëse ajo mungon, apo është e pranishme në qarkullimin e gjakut, por nuk vepron në qeliza, sheqeri mbetet në gjak dhe qeliza vuan.

Pra Diabetin mund ta quajmë edhe “uri në mes të bollëkut”, sepse në gjak sheqeri është shumë i lartë, kurse në qeliza ka mungesë. Pikërisht me këtë vuajtje, shpjegohet edhe pafuqishmëria e personit me Diabet, lodhja e shpejtë e tij dhe oreksi i shtuar.

Mungesa e sheqerit bën që organizmi të detyrohet të përdorë rezervat e tjera të tij për t’i bërë ballë gjendjes dhe në këtë mënyrë fillon të përdorë si burim energjie muskujt (proteinat) dhe rezervat e dhjamit (yndyrnat) pra diabetiku fillon të bjerë në peshë. Është sëmundja ndoshta e vetme që me gjithë oreksin e shtuar, të bën të pakësosh peshën trupore.

Sheqeri i lartë në gjak bën që një pjesë e tij të kalojë në urinë dhe si pasojë e kësaj diabetiku ka urinim të shpeshtë dhe të bollshëm, veçanërisht gjatë natës e shoqëruar me etje të madhe.

Me kalimin e kohës në gjak dhe në urinë mund të shfaqet acetoni (ose trupat ketonikë siç quhen në gjuhën mjekësore) që përbëjnë një urgjencë mjekësore. Për të mos arritur deri aty është e rëndësishme që Diabeti të zbulohet dhe të mjekohet sa më herët.

Glukoza e rritur në gjak krijon premisa për infeksione të ndryshme urinare, të lëkurës. Shfaqja e mykozave në lëkurë, gojë dhe sistemin tretës, janë karakteristika të diabetit të padiagnostikuar: jo rrallë diagnozën e diabetit e vendosin mjekët gjinekologë, kur zbulojnë praninë e mykozave në organet gjinore, të shoqëruara me të kruajtura rebele “nënvehte” dhe rezistent ndaj mjekimit të zakonshëm.

Përgjumja dhe turbullimet e pamjes janë disa nga shenjat që ka kjo sëmundje, kjo e fundit është lidhur drejtpërdrejt me nivelin e glukozës në gjak. Jo rrallë sëmundja zbulohet rastësisht pas një insulti trunor, infarkti të miokardit, në persona me infeksione të shpeshta, nga një plagë në këmbë që vonon të shërohet, apo nga dhimbjet e këmbëve që janë pasojë e neuropatisë ose dëmtimit të nervave.”

 

Prof. Florian Toti

Shërbimi i Endokrinologjisë dhe Sëmundjeve Metabolike

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë

Tel:+35542349323 E-mail: [email protected]