Drogon vëllanë e tij binjak dhe del nga burgu, kapet pas 13 muajve

Një i dënuar pasi akuzohej për “abuzim seksual me të mitur” dhe “vjedhje”, është kapur sërish pasi ishte për 13 muaj në arrati. Ai kishte droguar vëllain e tij binjak dhe kishte dalë nga qelia, por shenjat e gishtërinjve e pikasën sërish atë. Autoritetet në Peru kanë arrestuar për të dytën herë shtetasin Aleksandër Delgado, pasi ai u arratis nga burgu duke lënë vëllain e tij binjak në vend të tij.

Aleksandër Delgado ishte duke vuajtur një dënim 16-vjeçar, pasi ishte akuzuar për “abuzim seksual me të mitur” dhe “vjedhje”. Kur binjaku i tij, Giancarlo, e vizitoi atë janarin e kaluar, Aleksandri e drogoi, veshi rrobat e tij dhe doli nga burgu.

Shkëmbimi i dyshuar u konfirmua, pasi u morën shenjat e gishtërinjve të Giancarlos. Pas 13 muajsh në arrati, Aleksandër Delgado u arrestua të hënën në qytetin port të Callao, pasi Ministria e Brendshme ofroi një shpërblim për çdo informacion që çonte në kapjen e tij.

Ai tani pritet të zhvendoset në një burg të sigurisë së lartë. Ndërsa Aleksandri ishte i lirë, vëllai i tij Giancarlo u arrestua dhe u hetua me dyshimin se kishte bashkëpunuar me binjakun e tij. Por ai tani është lënë i lirë.