Duro: S’kam frikë nga dënimet sportive, përveç atyre me burg

Flamurtari do të luajë nesër ndeshjen e kthimit në Kupën e Shqipërisë ndaj Partizanit në Tiranë, teksa të parën e ka fituar 1-0. Më shumë se sa për ndeshjen, interes në fjalët e trajnerit Shpëtim Duro kanë qenë ato për gjyqtarët, teksa kujtojmë që Disiplina ka nisur një procedim ndaj teknikut të ekipit vlonjat.

“Në 20 vite karrierë nuk kam pasur asnjë dënim nga gjyqtarët, megjithatë, fjalët që kam thënë për Hamitin asnjëherë nuk i tërheq. Nuk është problem gabimi në gjykim, por ai arbitër nuk gjykon rastësisht gjithmonë në ndeshjet tona ndaj Kukësit.

Në ndeshjen ndaj Skënderbeut ka pasur një arbitrim shumë profesional nga ana e Koçit. Ndërsa arbitri që unë kam akuzuar, ka gabuar gjithmonë në ndeshjet mes Kukësit dhe Flamurtarit. Nuk kam frikë për dënime të tjera, përveç atij me burg”, – është shprehur Shpëtim Duro.