Durrës/ Moti i keq bllokon anijet

Moti i keq me reshje të dendura ka bllokuar sot paradite përpunimin e dy anijeve me mallra në portin e Durrësit.

Nga Qendra e Informacionit në APD mësohet se anija “NS Angela” me 4287 ton çimento dhe “Sveti Duje” me 3400 ton blloqe graniti sot paradite nuk e kanë filluar procesin e shkarkimit të mallrave për shkak të reshjeve të pandërprera. Ka vijuar pa probleme vetëm ngarkimi me 7 mijë ton çimento në anijen “Seaven Luck” në Terminalin Lindor, raporton BW.

Mësohet gjithashtu se dy tragetet e linjës Bari – Durrës, përkatësisht “AF Marina” dhe “Rigel II” kanë mbërritur në port sipas grafikut të parashikuar, rreth orës 7.30 të mëngjesit.

Nga Qendra e Informacionit, mësohet se në radën portuale ndodhet anija “Golden Bay” që pret të ngarkohet me 4100 ton çimento, ndërsa priten sot në port edhe anijet tregtare “Nevado 32” me 2894 ton xhama dhe “Konosha” me 5251 ton grurë.