Emrat/ Meta firmos dekretet për katër ambasadorë

Presidenti Meta ka firmosur dekretet për lëvizjet e katër ambasadorëve. Ai ka larguar nga detyra Filloreta Kodrën, e cila mbante pozicionin e ambasadores së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë. Në vend të saj është emëruar Ravesa Lleshi.

Sipas njoftimit në faqen e Presidencës, një tjetër ndryshim është bërë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO). Këtë pozicion deri tani e mbante Venera Domi, e cila do të zëvendësohet nga Ferit Hoxha.

Hoxha është një prej negociatorëve të marrëveshjes së Detit me Greqinë në vitin 2009. Ai ka qenë gjithashtu ambasador i Shqipërisë në OKB si dhe kryenegociator i palës shqiptare për liberalizimin e vizave me BE-në.

Dekretet e Metës

Filloreta Kodra lirohet nga detyra e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezident.

Ravesa Lleshi emërohet në detyrën e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë, pranë zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezident.

Venera Domi lirohet nga detyra e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident.

Ferit Hoxha emërohet në detyrën e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident.