Ermal Meta jep mesazhin në shqip: Pse spekuloni? Nuk dini asgjë për jetën time!

Ermal Meta, i cili triumfoi në Festivalin e Sanremo-s në Itali, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, lidhur me ato që janë shkruar në median shqiptare për jetën e tij. Mjaft i revoltuar, ai ka vënë pikat mbi “I”, në lidhje me të gjitha informacionet e gabuara, ndërsa ka kërkuar që të mos spekulohet.

Duke iu drejtuar gazetarëve shqiptarë, këngëtari ka sqaruar se fjalën “bastard” që kishte përdorur gjatë një interviste, nuk e kishte për babain e tij. Po kështu ai thekson ndër të tjera se kënga ishte kundër terrorizmit, e asgjë më shumë.

Ja mesazhi i Ermal Metës

“Mesazh për të gjithë gazetarët shqiptarë:

Mos spekulloni mbi jetën time, ju nuk dini asgjë nga jeta ime. Kur në atë intervistë përdora fjalën “bastard”, nuk thash asnjë emër. Mos e shtoni ju atë emër, sepse gaboni rëndë, jo vetëm me mua por edhe me familjen e personit për të cilin po shkruani ose po flisni.
Kënga që fitoi festivalin e Sanremos është kundër terrorizmit, asgjë më shumë. Shpresoj mos te lexoj më gjëra të tilla.
Faleminderit për vëmëndjen.

Ermal Meta”.