Ermal Meta, produkt Fieri apo Italie?

Fitorja e Sanremos nga këngëtari shqiptar Ermal Meta ka nxitur shumë spekulime, ndjesi kolektive gëzimi dhe krenarie të përligjur dhe në këtë kuptim është e justifikueshme të reflektosh: çka prodhon një ngjarje e tillë kaq e madhe, e cila shkon përtej kontekstit kulturor pasi lidhet me imazhin e shqiptarit në botë?
Po i referohem disa përjetimeve personale gjatë qëndrimit në Itali, ku në atë kohë po bëhej i famshëm një tjetër shqiptar, por balerin ama, i quajtur Klejdi Kadiu. Duke përcjellë nipin tim të vogël në kopësht në një qytet të Italisë, edukatoret e kopshtit mendonin se si shqiptar që isha mund ta njihja atë dhe më kërkuan numrin e tij të telefonit. Ishte nje asociim i natyrshëm për një figurë të shquar televizive, që ishte shëndrruar në një idhull të audiencës italiane, të qytetarëve të thjeshtë. Pra, shqiptari i zakonshëm që deri asokohe identifikohej me stereotipet negative që prodhoheshin nga media serioze apo joserioze italiane, tashmë mund të identifikohej me një figurë tërheqëse dhe simpatike, siç ishte ajo e Klejdi Kadiut. Për analogji, edhe figura e Ermal Metës, këngëtari shqiptar që arriti të imponohet në një aktivitet kulturor siç është Sanremo, një ngjarje e cila është një nga produktet identifikuese të artit italian në botë, ndikon jashtëzakonisht në përfytyrimin që kanë italianët e thjeshtë për shqiptarin. Dhe jo vetëm kaq: figura si kjo i bëjnë krenarë shqiptarët që jetojnë në Itali, u jep motive krenarie dhe ekzistence të rinjve, fëmijëve shqiptarë përballë moshatarëve të tyre italianë dhe kjo nuk është pak. Më kujtohet një moment tjetër në Itali. Menjëherë në muajt e parë të eksodit shqiptar në Itali, shqiptarët e ardhur nga komunizmi, që donin kohë të ambientoheshin në Itali filluan nga problemet që dilnin në media, probleme që krijuan stereotipin e shqiptarit vjedhës, trafikant prostitutash, droge, skafist, etj. Kur papritmas Italia u pushtua nga rumunët, atëherë në momente të caktuara i merrnin ata titujt e parë për keqbërjen dhe kjo ishte një lehtësim nga halli i madh i goditjes së imazhit kombëtar. Mirëpo, pastaj… doli Klejdi dhe gjithçka ndryshoi. Pastaj Igli Tare, etj., etj.
Ermali pra është një lloj heroi i lartësimit të imazhit të shqiptarëve në Itali dhe më gjerë. Është një njeri i suksesshëm, që i edukuar dhe i formuar me një shkollim italian, në një mjedis arti dhe kulture italian, arrin një sukses siç është ai i fitimit të Sanremos. Në këtë kuptim i bashkohet artistëve të tjerë shqiptarë të tij, të cilët nëpëmjet televizionit në zhanre të tjera artistike kanë arritur të imponohen si figura numër një edhe përkundrejt kolegëve të tyre italianë. Në një kuptim, dalja e Ermalit në nivele të tilla suksesi, pranimi i suksesit të një shqiptari si sukses natyral, konfirmon si natyrale gjithashtu bindjen se shqiptarët dhe italianët janë pjesë e një kulture të përbashkët, që japin e marrin me njëri-tjetrin. Një miku im që jeton në zonën e Friuli Venecia Xhulian, një lloj  regjionalisti i thekur, flet për një Shqipëri Veneciane të ringjallur në ditët e sotme. Ky i Ermalit kësisoj është një kontribut i jashtëzakonshëm që nuk reflektohet thjesht tek populli i gjerë italian, por edhe tek ekspertët dhe kritikët e artit dhe kulturës. Ata kanë arritur tashmë në përfundimin që diçka të veçantë do të kenë këta shqiptarët të cilët arrijnë të dominojnë dhe të imponohen në tregun muzikor, artistik, dhe jo vetëm në një mënyrë kaq domethënëse, siç është rasti i këngëtarit Ermal Meta apo edhe i artistëve të tjerë shqiptarë. Pra është një impakt i jashtëzakonshëm jo thjesht në aspektin e mbështetjes popullore, por edhe në drejtim të kritikës cilësore, të elitës italiane, dhe kjo e lartëson cilësisht ndihmën që Ermal Meta ka dhënë për imazhin e shqiptarëve.
Roli i sportit
Por nuk është vetëm arti që jep këtë kontribut. Edhe në sport shqiptarët ia kanë dalë të imponohen qoftë për shkak të stërvitjes apo përfshirjes në klubet sportive mbi baza profesioniste kanë arritur që të shpërfaqin talentin e tyre. Mund të thuhet se jemi në të njëjtin model, në të njëjtën paradigmë ku individi shqiptar i gjendur brenda një kolektivi, brenda një sistemi profesional, sportiv, artistik arrin që të tregojë vlerat e veta më të mira. Përtej bindjes glorifikuese egocentrike se “ne shqiptarët jemi njerëzit më të veçantë në botë”, bindje që përhapet masivisht në mediat sociale në të tilla raste, sikurse ajo e fitores së Ermal Metës, e vërteta është se kemi disa talente, disa cilësi, në disa disiplina. Në një rast si ai i baletit, kjo shumësi talentesh, mund të jetë produkt i shkollave që kanë pasur ndikim në formimin tonë profesional sikurse shkolla ruse tek baleti shqiptar, tek profesorët që kanë ardhur prej saj me rol themelues. Këto cilësi profesionale, kur vendosen brenda grupesh të disiplinuara të stilit perëndimor, kapin nivele të arta. E ilustrojmë me një kundërshembull, rasti i ekipit të suksesshëm Shpresa të futbollit në vitet ’80 me Demollarin, Zmijanin, Mingën e të tjerë që mundën të barazonin me Gjermaninë në 2 ndeshje brenda dhe jashtë vendit. Por këta futbollistë më pas nuk dhanë të njëjtat rezultate kur kaluan tek ekipi kombëtar. Pra nëse rezultatet tek Shpresa lidheshin me talentin e tyre natyral, rënia e rezultatit kur kaluan në ekipin kombëtar i detyrohej cilësisë së trajnimit dhe faktorëve të tjerë që lidhen me atë variabël të përmendur më sipër, që është çështja e sistemit. Pra raporti individ-sistem. Kjo nuk ka të bëjë me përdorimin politik që kryeministri i ka bërë termit duke justifikuar me të gjithë të këqijat e sistemit tonë politiko-social, por për ta shikuar këtë relacion nga këndvështrimi i suksesit të individit kur ndërlidhet me sisteme funksionale.
Lord Bajroni për cilësitë e shqiptarëve që duhej të ishin më të arrira
Pra sistemi shqiptar nuk rezulton të jetë aq i suksesshëm, aq i përkryer sa të prodhojë realitete dhe individë të cilët të jenë pjesë e garave sportive, artistike, sfidave me karakter kontinental dhe global dhe të arrijnë rezultate të larta. Vetëm kur individi shqiptar përfshihet në klube me karakter perëndimor, arrin të kapë suksese të tilla. Ngjan patetike, por është një domosdoshmëri: nevoja e modernizimit të sistemit shqiptar, është urgjente. Ndonëse Shqipëria është një vend i vogël, e cila nuk mund të pretendojë të prodhojë talente për të gjitha sportet dhe lëmitë e aktiviteteve njerëzore, sërish mund t’i ngjajë atyre vendeve të vogla si Estonia, Islanda apo Letonia që prodhojnë lajme pozitive në sport, novacion, etj. Kësisoj ne do dilnim nga paradigma e imazhit të keq për shqiptarët që rëndom identifikohen negativisht. Përgjegjësitë për ritmet e vonesës së modernizimit të sistemit e ka klasa politike.
Kur ish-trajnerit të kombëtares, Gianni De Biazit, iu dha nga Universiteti Europian i Tiranës çmimi i nderimit Doctor Honoris Causa, ai zgjodhi të citonte Lord Bajronin, ku në një nga poemat e tij-Cajld Haroldin, thoshte: “Të rrepte Bijtë e Shqipes… të mira i kanë cilësitë, por t’i kishin pak më të arrira”. Pa dyshim që Gianni De Biazi ishte dikush që shfrytëzoi cilësitë e shqiptarëve, duke i bërë më të arrira, duke i përfshirë në një sistem rregullash, në atë që njihet si kultura perëndimore e trajnimit dhe jetës në ekip. I bëri cilësitë e tyre më të arrira. Kjo është sfida, që Ermali e kapërceu pse doli që herët nga… Fieri, nga Shqipëria… në Itali.

Ermal Meta, fitues i Festivalit të këngës Sanremo

Lidhje direkte me Mentor Nazarkon: Individi Ermal Meta si hero i ri i lartësimit të imazhit tonë kombëtar! Individi apo sistemi përcakton suksesin?Pjesa e parë!Pjesa e dyte: https://www.facebook.com/web.konica.al/videos/426995427734002/

Posted by Konica.al on Sunday, February 11, 2018

Pjesa e dytë: lidhje direkte me Mentor Nazarkon: Individi Ermal Meta si hero i ri i lartësimit të imazhit tonë kombëtar! Individi apo sistemi përcakton suksesin?

Posted by Konica.al on Sunday, February 11, 2018