A është Ermal Meta produkt shqiptar?

Ai është djali që urren përrallat, mbase sepse jeta e tij ka qenë shumëçka vetëm jo një përrallë. Megjithatë ai dha nje vit më parë mesazhin se pavarësisht kalvarit të jetës është e ndaluar të vdesësh. Ermal Meta, djaloshi që fitoi Sanremon, i cili vuri në gojë të të rinjve italianë mesazhin për t’i thënë “JO” frikës që ushqehet nga terrorizmi, ia doli të bënte krenarë gjithë shqiptarët talenti i të cilëve tashmë në Itali ka krijuar një vijimësi.

Sikurse ka thënë dhe vetë Ermal Meta,  “muzika arrin aty ku fjalët nuk depërtojnë” dhe pikërisht falë muzikës, baletit, apo çdo suksesi të arritur në lëmi të ndryshme të artit, shqiptarët ia kanë dalë të krijojnë një perceptim tjetër ndryshe nga sa rëndom jemi mësuar të dëgjojmë në mediat ndërkombëtare për ‘famën’ e tyre si trafikantë të lidhur me botën e krimit.

Arti i mirë thyen tabu dhe ndryshon shumë më lehtë mentalitetin. Dhe Ermali ia ka dalë të motivojë dhe inkurajojë italianët kundër nje fenomeni global, tejet shqetësues. Paçka se vetë djaloshi nga Fieri është kujdesur të ruaj profilin e tij si një artist që krijon muzikë për të gjithë, pa e lidhur atë me rrënjët e origjinës së tij, Ermali është në të vërtetë dëshmi e një perceptimi të ri që shumë artistë shqiptare kanë krijuar tashmë në Itali dhe më gjerë: talentin e spikatur për t’ja dalë mbanë duke u veçuar nga të tjerët Por si arriti Ermal Meta deri në fitoren e kupës së çmimit të parë në Sanremo?

I shkëputur nga Shqipëria që 13 vjeç, Ermali u vendos Bari ku nisi të këndonte me grupin e qytetit “La Fame di Camilla”.Karriera e tij vijoi si kantautor i disa artistëve me emër italianë si Marci Mengoni, Emma, Chiara, Annalisa, Lorenzo Fragola, Giussy Ferreri e shumë të tjerë. Ai e preku për herë të parë Sanremon, në 2006, në kategorinë për të rinj.Pas grupeve debutimet e tij solo fillojnë me me “Umano” dhe “Odio le favole”. Ermal Meta është gjithashtu fitues i cmimit të kritikës Mia Martini me këngën “Vietato Morire”. Tashmë ai së bashku me Fabrizio Moro do të prezantojnë Italinë në Eurovizion Song Contest 2018 në Lisbonë të Portugalisë.