Gazeta “Dielli” mbush 109 vjeç

Njiqënd e nëntë vite më parë, gazeta “Dielli” pa dritën e botimit, si i vetmi organ qe do të shëndrrohej në një kadil kombëtar plot 36 ditë pas mbylljes së gazetës “Kombi” . Gazeta “Dielli” ishte gazetë e Shoqatës Kombëtare Besën-Besën, e themeluar me 6 Janar 1907, Shoqatë që drejtohej nga Fan S. Noli-Kryetar.

Botimi i Programit të Dielli në numrin e parë të tij nuk ishte thjesht një gazetë, por një program i mirëfilltë i një lëvizjeje programatike mbarëkombëtare. Gazeta u kthye në një shkollë për shqiptarët e Amerikës dhe mbajti ndezur idealet Kombëtare, ruajti gjuhën shqipe, traditat dhe Kulturën Kombëtare, promovoi arritjet e shqiptarëve në SHBA, si dhe ndërtoi ura miqësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Kombit Shqiptar.

”Dielli” përfaqson regjistrin më të vjetër të Shqiptarëve të Amerikës me një kontribut të jashtezakonshëm në historinë e shtypit shqiptar.

29 numrat e parë të Diellit ishin produkt i Fan S.Nolit, ndërkohë që nga 22 tetori i 1909-ës gazeta doli nën drejtimin e Faik Konicës.Përveç Nolit dhe Konicës, Diellin e kanë drejtuar edhe shumë pena dinjitoze, intelektualë të shquar, atdhetarë të përkushtuar si: Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, që e bëri gazetën të përditshme që prej 7 nëntor 1914, Andon Frashëri, Bahri Omari, Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari,Peter Tikco, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj, Xhevat Kallajxhiu, Dr. Eduard Liço, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa e shumë të tjerë.

Ky organ është vlerësuar si një ndër gazetat më serioze në lëmin e komuniteteve në Amerikën e Veriut, madje është edhe fituese çmimesh, siç ishte çmimi i fituar në konkursin “Common Council For American Unite”, ku morën pjesë njëmijë gazeta në gjuhë të huaja që botoheshin në SHBA në fillim vitet ’50 e vijojnë deri në ditët e sotme.