Gratë e Beratit “i hapin rrugë”, Astrit Veliaj drejt Kuvendit

Dorëzimi i mandatit nga ish-deputeti i Beratit Eduard Halimi ka hapur shumë punë brenda PD-së.

Pas dorëheqjes së dy grave demokrate nga mandati, radha i ka ardhur biznesmenit Astrit Veliaj për t’u bërë deputet.

Mandati i Halimit do t’i kalonte një gruaje, meqenëse PD nuk kishte respektuar kuotat gjinore, dhe radha ishte e psikologes Juvina Jani, e renditur e gjashta në listë, por kjo e fundit  deklaroi se nuk e pranonte mandatin për arsye familjare, kështu që një tjetër grua do ta zëvendësonte.

Por edhe laborantja Monika Qosja ka hequr dorë, duke i hapur rrugë kështu Astrit Veliajt drejt parlamentit.

Më poshtë janë dokumentet që dy zonjat kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku japin zyrtarisht dorëheqjen nga mandati.

DORËHEQJA E JUVINA JANIT

“Unë Juvina Fejzi Jani, lindur në Berat dhe e regjistruar me nr.6 në listën shumëemërore të kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike në qarkun Berat, për arsye personale, në mbështetje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, jap dorëheqjen e parevokueshme nga kandidimi, zgjedhja apo mandati si deputet për në Kuvendin e Shqipërisë.

Ky akt vullneti i lirë për dorëheqje nga funksioni, shoqërohet me mirënjohjen time të thellë për mbështetjen e qytetarëve të Beratit, si dhe mundësinë që kisha për të kandiduar në zgjedhjet e 25 qershorit 2017 për në Kuvendin e Shqipërisë”.

DORËHEQJA E MONIKA QOSJES

“Unë Monika Asqeri Qosja, lindur në Berat, dhe e regjistruar me nr.7 në listën shumëemërore të kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike në Qarkun Berat, për arsye personale, në mbështetje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, jap dorëheqjen e parevokueshme nga kandidimi dhe zgjedhja si deputet për në Kuvendin e Shqipërisë.

Ky akt vullneti i lirë për dorëheqje nga funksioni, shoqërohet me mirënjohjen time të thellë për mbështetjen e qytetarëve të Beratit, si edhe mundësinë që kisha për të kandiduar në zgjedhjet e 25 qershorit 2017 për në Kuvendin e Shqipërisë”.