Ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes rrëfen momentet se si u vra kolonel Krasniqi, nga një akt tradhtie në Tiranë

Intervistë me Skender Zogaj, ish përfaqësues i Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë

I emëruar nga presidenti Ibrahim Rugova si përfaqësues i Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë, Skender Zogaj është një prej dëshmitarëve të zhvillimeve të viteve 90-ta në Shqipëri.

Ai ishte mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova dhe në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur për politikën që bëhej në atë kohë duke e krahasuar me aktualen, duke e krahasuar me këtë aktualen.

Zogaj, ka thënë se fatkeqësia më e madhe i ndodhi Kosovës me vdekjen e Presidentit Rugova, arkitektit të pavarësisë. Ai ka folur edhe për raportet ndërmjet Presidentit Rugova dhe komandantit legjendar, Adem Jashari, meqë ishte bashkëpunëtor i tyre i afërt. Meqë ishte pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, Zogaj rrëfen edhe për mënyrën tradhtare se si u vra kolonel Ahmet Krasniqi, i cili vetëm tre ditë më parë kishte strukturuar Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, që menjëherë të nisin veprimet për çlirimin e vendit.

Jemi në prag të dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Cilat janë arritjet më të mëdha të Kosovës brenda kësaj dekade?

Skender Zogaj: Kosova e lirë dhe e pavarur është arritja më e madhe historike, me të cilën populli shqiptar i Kosovës ka arsye të ndjehet shumë i lumtur dhe krenar, sepse e ka mposhtur robërinë dhe ka mundësinë e  vetëqeverisjes. Kjo është arritja me fantastike që e madhëron 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, me kurorëzimin e një realiteti të ri historik, që ofron mundësi të jashtëzakonshme për ripërtëritje të plotë kombëtare e gjithëkombëtare. Çlirimi i Kosovës e ka forcuar Shqipërinë dhe ka faktorizuar të gjithë shqiptarët në trojet e veta e kudo në botë, që tashmë e kanë mundësinë reale të bashkëveprimit të koordinuar për të mirën e përbashkët. Kjo është arritje shumë e madhe, është krye vlera e shenjtë që duhet të kuptohet dhe të materializohet. (Burimi: Bota sot)