Ja kush janë anëtarët e Aleancës së Këshilltarëve të rinj të Bashkisë Tiranë

Aleanca e Këshilltarëve të Rinj Tiranë, një strukturë për nxitjen dhe pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje dhe politikbërje në nivel lokal në Bashkinë e Tiranës, për avancimin e mëtejshëm të kauzës rinore, zgjodhi sot drejtuesit e rinj për vitin 2018.

Për vitin 2018, posti i Kryetares së kësaj Aleance do ta mbahet nga këshilltarja e Partisë Socialiste znj. Joleza Koka, ndërkohë dy postet e Nën. Kryetarëve të Aleancës do të mbahen nga znj. Ira Vejsiu (këshilltare e LSI) dhe znj. Albina Nanaj (këshilltare e PDIU). Sekretar i Aleancës së Këshilltarëve të Rinj Tiranë do të vijojë të jetë z. Mateo Spaho nga Partia Demokratike. Ndërkohë 3 pjesëtarët e tjerë të Bordit Drejtues të Aleancës do të jenë Z. Auran Xhani (këshilltar i PS), Znj. Dejana Kallogjeroviç (këshilltare e LSI-së) dhe Z. Akil Kraja (këshilltar i PD).

Aleanca e Këshilltarëve të Rinj në Këshillin e Bashkisë Tiranë është një grup informal i këshilltarëve të rinj (nën moshën 35 vjec) të Këshillit Bashkiak Tiranë. Ata vinë së bashku nën këtë grupim pavarësisht përkatësive të ndryshme politike për të përfaqësuar e avokuar për zgjidhjen e problematikave të të rinjve të Tiranës. Prej vitit 2016, Aleanca ka synuar të krijojë një klimë mbështetëse për çështjet e të rinjve nga Këshilli Bashkiak dhe Bashkia e Tiranës dhe gjithashtu të fuqizojë anëtarët e vet dhe këshilltarët e rinj të qyteteve të tjera.

Përfaqësimi i të rinjve në Këshillin Bashkiak të Tiranës prej vitit 2015 është rritur ndjeshëm duke përbërë kështu 40% të tij. Krijimi i Aleancës së Këshilltarëve të Rinj ka reflektuar një përfshirje më të lartë të të rinjve në vendimmarrje, hartimin e politikave rinore nga të rinjtë për të rinjtë. Gjithashtu AKRT ka qenë një strukturë mjaft bashkëpunuese dhe e hapur me të rinjtë për të tejcuar zërin dhe problematikat e tyre në Bashkinë e Tiranës dhe Këshillin Bashkiak, të cilat shpesh herë janë reflektuar në projektvendime konkrete. Aleanca e Këshilltarëve të Rinj përmes veprimeve të përbashkëta ka ndikuar në përmirësimin dhe hartimin e politikave lokale favorizuese për të rinjtë që rrjedhimisht ka çuar në përmirësimin e jetës dhe fuqizimin e tyre.

Përgjatë vitit 2016-2017, AKRT ka lobuar dhe avokuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe ka arritur të: 1) Rrisë buxhetin e Bashkisë Tiranë për vitin 2017 dhe vitin 2018, ku nga 50 milion lek të vjetra në vitin 2016 ka arritur në 100 milion lek të vjetra (në vitin 2017), 150 milion lek të vjetra për vitin 2018; b) Alokohet një fond specifik prej 100 milion lek të vjetra për nxitjen dhe mbështetjen e sipërmarrjeve Rinore në Tiranë; si dhe c) Alokohet një fond i posaçëm për fuqizimin dhe ngritjen e kapaciteteve për Këshilltarët në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Përgjatë vitit 2018, kjo Aleancë do të ketë për qëllim të rrisë bashkëpunimin mes të rinjve, organizatave Rinore dhe institucionit të Bashkisë Tiranë e reflektuar kjo në një Buxhet me të lartë për vitin 2019 si dhe në aktivitete konkrete. Gjithashtu një ndër fokuset kryesore të punës së AKRT do të jetë monitorimi dhe nxitja e zbatimit me rigorozitet të të parit Plan Lokal Veprimi të Bashkisë Tiranë për të Rinjtë 2018-2020. Cdo informacion mbi aktivitetet dhe nismat e ndërmarra nga Aleanca e Këshilltarëve të Rinj Tiranë mund ti gjeni prej muajit mars ne faqjen zyrtare të Bashkisë Tiranë.