Këngëtarja shqiptare tregon jetën në varfëri, por ja si i përgjigjet e ëma

Ashtu siç ka rrëfyer edhe më parë, këngëtarja Elvana Gjata është mjaft e lidhur me nënën e saj ndaj dhe në intervistën e sotshme në “Xing me Ermalin”, e ëma e saj nuk kishte si të mos përmendej. E nisur nga biseda për nënat shqiptare të vuajtura, të cilat i kanë rritur fëmijët me shumë vështirësi, Elvana tregoi sesi vite më parë, kishte dhënë një intervistë ku kishte folur pikërisht për fëmijërinë e saj të vështirë.

“Çdo fundjavë kishim pulë me patate dhe na vinin mysafirët. Unë, nga qejfi që piqej pula, vija nga kuzhina dhe bëja kot sikur bëja ndonjë punë, shihja pulën në tavolinë dhe më shkonte goja lëng… Dhe miqtë që më shihnin që vija vërdallë më thoshin të shkoja në tavolinë që të haja dhe unë pulë.

Mami kthehej nga unë dhe u thoshte: ‘Elvana ka ngrënë mi, ka gjithë ditën që ka ngrënë, ç’do hajë më? Ë Elvana, ke ngrënë ti?’ Unë: ‘Kam ngrënë, kam ngrënë, nuk dua!’ Unë në fakt po vdisja për bukë!”-rrëfeu duke qeshur këngëtarja, për të rrëfyer më tej reagimin e së ëmës për intervistën në fjalë.

“Kthehem në shtëpi kur doli revista dhe takoj mamin që ishte pak si me turinj. I them: ‘Mami çfarë ke kështu?’ Dhe ajo: ‘Ja, lexova çfarë kishe thënë tek revista… atë intervistën tënde…’ Dhe unë prap: ‘Po çfarë ke, çfarë nuk të pëlqeu?’ Mami: ‘Po na nxore fukarenj fare mi goc, na nxorre të varfët fare! Avash mi, avash!’”-tregoi këngëtarja duke cituar të ëmën, për të vijuar më tej me imitimin e saj.

“Pse mi paske qenë e varfër ti? Ti në frigorifer djathë ke pasur, qumësht ke pasur, kos ke pasur… Çfarë doje më shumë ti? Të gjitha të mirat i ke. Pse do të blesh rroba të reja ti? Ja ku i ke rrobat e motrës, pse poshtë do t’i hedhim ne?”-tregoi këngëtarja ndërkohë që publiku shpërtheu në të qeshura. /xing.al/