Kërcënimi i Metës për marrëveshjen me Greqinë

Lajmet e  ditëve të fundit kanë bërë të ditur për një iniciativë presidenciale e cila synon konsultime për të përcaktuar se cila do duhet të jetë sjellja e kreut të shtetit Meta në lidhje me firmosjen e autorizimit për plotfuqishmëri mbi negociimin që do të prodhojë një marrëveshje tërësore Shqipëri-Greqi. Meta ka nisur konsultat me ish presidentët, duke problematizuar kësisoj një çështje e cila mund të ishte rutinore sikurse është dhënia e plotfuqishmërisë.

Përse themi se duhet të ishte rutinor? Sepse sipas kuadrit ligjor të një republike parlamentare, presidenti ka kryesisht kompetenca  te kufizuara në politikën e jashtme, pra  me karakter formal dhe nuk ka kompetenca me karakter substancial, me disa përjashtime. Kjo nuk do të thotë se presidenti në praktikën e përditshme të jetës institucionale nuk do të duhet të konsultohet për emërime, për qëndrime të caktuara politike por në letër, në gërmë, Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që presidenti të ketë kompetenca të kufizuara. Në dallim nga Kushtetuta e Kosovës, në të cilën presidentit i njihet e drejta jo thjesht e përfaqësimit të vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare por edhe e autorësisë në politikën e jashtme. Por çfarë do të thotë kjo inisiativë e Metës?

Në këtë kontekst kjo është një inisiativë e cila synon të theksojë që presidenti Meta është një faktor që do të duhet të merret në konsideratë në lidhje me negociatat e ardhshme me Greqinë. Qëndrimi i Metës ngjan se është provokuar nga lajmet e shumta që kanë dalë gjatë zhvillimit të negociatave në Kretë dhe në Korçë mes dy ministrave të jashtëm apo edhe nga vetë intervistat e ministrave të cilët kanë lënë të kuptohet sikur është arritur një marrëveshje e përgjithshme në lidhje me disa nga temat brenda të ashtuquajturës shportë të problemeve mes 2 vendeve, probleme historike, probleme aktuale që lidhen me ligjin e luftës, me marrëveshjen e detit, me përkufizimin e zonës ekonomike ekskluzive nëse do të ketë, me çështjen e njohjes së patentave shqiptare, me çështjen e rishikimit te teksteve shkollore, historike dhe gjeografike të dy vendeve,etj. Pra një seri marrëveshjesh të cilat Shqipëria ka rënë dakort me Greqinë që t’i përfundojë përpara shkëmbimit të vizitave respektive të kryeministrave Tsipras dhe Rama në Tiranë dhe Athinë.

Faktori kohë dhe kërcënimi mbi afatet

Duket se të dy vendet kanë zgjedhur një kohë siç është prilli që është një muaj larg vendimit të Bashkimit  Europian në lidhje me Shqipërinë për të çelur ose jo negociatat me të. Sigurisht që ky nuk duket se ka qenë interesi primar i Greqisë që t’ja japë Shqipërisë ose të firmosë marrëveshje të tilla me vendin tonë për ta favorizuar atë. Me gjasë, kjo kohë është preferuar për të shfrytëzuar pozitën e dobët negociale të Shqipërisë, në prag të vendimit për çeljen e negociatave, periudhë që e bën vendin aplikant më të gatshëm për të pranuar kërkesat e palës greke nga frika e vetos. Pikërisht në këtë moment, kur ministri i jashtëm i ka kërkuar presidentit autorizimin për plotfuqishmërinë për nisjen zyrtare të negociatave,  Meta si përgjigje ka ndërmarrë këtë inisiativë e cila mund të kërcënojë negociatat. Përse i kërcënon?

Çfarë synon Meta?

Së pari, Meta me këto konsultime synon të theksojë që ekziston një problem në lidhje me këtë çështje për mënyrën sesi po negociohet. Diskutimet me presidentët radhazi synojnë të theksojnë që ka një problem, ndonëse askush nga këta presidentë nuk ka vepruar në kushtet e ligjit 43, ligjit të ri mbi marrëdhëniet ndërkombtare ku parashikohet se presidenti autorizon ministrin e jashtëm për plotfuqishmërinë. Pra nuk kanë se çfarë t’i thonë në rrethanat e reja, me përjashtim të Topit, i cili ka qenë president në kushtet e një marrëveshje ndërkombëtare të kontestuar.

Së dyti, ai kërkon një rol të tij në këto negociata.  Të tregojë se  ai mund të kushtëzojë në procedurë, në përbërje të ekipit negociator, dhe pse jo dhe në cilësinë e negociatave.

Së treti, duke patur parasysh afatet proceduriale për miratimin e një marrëveshje ndërkombëtare sipas të cilës do të duhet të ketë negociata formale (me gjasë do të duhet të ketë vendosjen e kompasit mbi harta në rastin e marrëveshjes mbi detin,) komente nga institucionet përgjegjëse, shqyrtim ndonëse formal në këshillin e ministrave të dy vendeve, pastaj shkëmbim tekstesh, etj.. Diçka që merr një kohë eventualisht të gjatë dhe afati i prillit duket shumë i afërt. Përfshirja e presidentit në një inisiativë të tillë e bën edhe më të vështirë arritjen e këtij afati. Kjo pasi presidenti ka në dorë vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, diçka që do ta vononte eventualisht negociimin dhe nënshkrimin e një marrëveshje brenda afatit të prillit.

Ka  megjithatë një element që të bën të mendosh që presidenti Meta do të matet përpara se të bënte një veprim të tillë. Ai është shquar si partizan, aktor institucional që e ka favorizuar normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe në këtë kuptim për shkak të përvojës së tij si ministër i jashtëm, ai e di se  Shqipërisë i duhet një marrëveshje e tillë dhe kësisoj supozohet se Meta do të përpiqet që të mos ketë probleme që e bllokojnë atë.  Nga ana tjetër janë të njohura marrëdhëniet e vështira që ai ka me ministrin e jashtëm. Këto marrëdhënie u bënë të njohura veçanërisht për votimin në OKB të rezolutës kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Por përgjithësisht Meta si president, ka mbajtur një qëndrim distancues relativisht të ekuilibruar nga politika e ditës sikurse është njohur përgjithësisht në profilin e tij si politikan me momente shpërthimesh të rralla, por të forta.

Megjithatë kjo çështje do të duhet të vlerësohet me kujdes me qëllim që të ruhet respekti mes institucioneve, të konvergjojnë pozicionet e tyre. Shqipëria nuk e ka luksin të humbë kohë prej fërkimeve të panevojshme me frymëzim politik apo partiak. Për rrjedhoje pavarësisht se partia e drejtuar dikur nga zoti Meta është në opozitë me partinë socialiste në pushtet, duhet që palët të gjejnë mirëkuptimin që edhe vendi të mos rrezikojë afatet për nëvnshkrimin e marrëveshjes dhe eventualisht normalizimin e marrëdhënieve me Greqinë.

Meta përmes kësaj inisiative synon të përfshihet në këto negociata. Këtë e ka lënë të nënkuptojë edhe ish ministri i drejtësisë Manjani, që mendon se e interpreton mirë mendimin e z. Meta. Por këtu shtrohet pikëpyetja jo thjesht për kompetenca kushtetuese të cilat janë të kufizuara kur vjen puna për rolin e presidentit në politikën e jashtme por edhe burime njerëzore që mund të ketë presidenti për të shqyrtuar negociata të tilla siç janë ato me Greqinë të cilat kërkojnë ekipe ekspertësh që supozohet se presidenca nuk i ka. Gjithsesi duhet imagjinuar se për shkak të eksperiencës së tij si ish ministër i jashtëm apo kryetar i parlamentit, rolit aktiv në politikën e brendshme apo në politikën e jashtme thuajse që nga fillimi i tranzicionit, që me presidencën të gjendet një lloj kompromisi në mënyrë që kjo çështje e politikës së jashtme të mos shëndrrohet në çështje të politikës së brendshme dhe të ndikojë në imazhin e vendit në një situatë kaq të veçantë si kjo. Problematizimi i marrëdhënieve në negociata me Greqinë nga ana e presidentit Meta ndodh në një situatë të caktuar kur mes palëve partiake, por dhe institucioneve pritet edhe një acarim më i fortë për rrjedhën që po merr reforma në drejtësi me duartrokitjen e ndërkombëtareve.