Kupa, plotësohen 4 ekipet gjysmëfinaliste (Video)

Mësohen 4 ekipet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Kukësi, Laçi, Skënderbeu dhe Flamurtari janë kualifikuar për më tej dhe janë në pritje të hedhjes së shortit. Kukësi ka fituar 1-0 ndeshjen e kthimit ndaj Tiranës, kur ndeshja e parë kishte përfunduar në barazim 1-1.

Goli i Gurit me kokë, që në minutën e 4-t, ka likuiduar fituesit në fuqi të Kupës. Në Gjirokastër nuk ka pasur shumë histori, fiton Laçi 1-0 me gol të Rexhinaldos. Luftëtari e kishte humbur thellë, 3-0, çerekfinalen e parë në fushën e kurbinasve.

Në Korçë, Skënderbeu nuk rrezikon aspak me Teutën. Pasi kishte fituar 2-0 ndeshjen e parë në Durrës, korçarët fitojnë edhe në kthim 3-0 dhe kërkojnë të fitojnë Kupën për herë të parë në historinë e tyre. Golat u shënuan në Lilaj, dhe dy herë Soue.

Partizani-Flamurtari ka qenë sfida më e luftuar, por që ka përfunduar 2-1. Kualifikohen vlonjatët, që kishin fituar ndeshjen e parë 1-0. Sidibe shënoi në 12’, ndërsa Trashi barazoi në fundin e pjesës së parë. Asani kaloi në avantazh Partizanin në 80’, por që nuk mjaftoi për të kaluar më tej.