Marku nga Korça: Të goditen grupet kriminale dhe nëpunësit publikë që shkelin ligjin

Nga qyteti i Korçës, kryeprokurorja Arta Marku ka kërkuar që të goditen grupet kriminale dhe nëpunësit publikë që shkelin ligjin. Pavarësisht luftës që është bërë ndaj trafikantëve, ajo ka thënë se Prokuroria nuk duhet të mbetet vetëm me goditjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike, por të identifikojë dhe vendosë përpara përgjegjësisë penale grupet kriminale.

“Përkrahim hetime më të thelluara në luftën kundër drogës, ku, me gjithë suksesin e arritur, e bën të domosdoshme që Prokuroria të mos mbetet vetëm me goditjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike, por të identifikojë dhe vendosë përpara përgjegjësisë penale grosistët, grupet që financojnë dhe organizojnë kultivimin e lëndëve narkotike, trafikimin, etj.

Mbështesim fuqimisht prokurorët për të identifikuar shkelje të ligjit dhe regjistrimin e veprave penale, kryesisht sidomos në mënyrën e ushtrimit të pushtetit nga nëpunësit publikë; nëse ushtrimi i pushtetit është në interes publik apo përdoret nga nëpunësit si një formë për të nxjerrë përfitime të paligjshme të çdo lloji.

Nxisim analiza të përbashkëta me organet tatimore dhe doganore, për të identifikuar shkelje të ligjit në këto fusha nëse ka, pasi siç del nga raporti për vitin 2017, ka vetëm një kallëzim nga këto organe”, tha Marku.